Pandemia/ 25.7 % më pak shtetas të huaj hynë në vend, krahasuar me janarin 2020

TIRANË,24 shkurt /ATSH/ Situata e krijuar nga pandemia ndikoi në rënien e fluksit të hyrje-daljeve nga Shqipëria, në muajin janar të këtij viti.

INSTAT publikoi sot raportin mbi lëvizjen e shtetasve, sipas të cilit, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar gjatë muajit janar 2021, është 185.329 persona, me një rënie 25,7 %, krahasuar me janarin 2020.

Në janar 2021, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Zvicra ka pasur rritjen më të madhe me 47,2 % (ndonëse në një numër të ulët në total) dhe Kosova me 13,0 %, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur Greqia me 87,0 % dhe Spanja me 73,0 %, krahasuar me janarin 2020.

INSTAT bën të ditur se, në total, hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar në muajin janar 2021, janë 405.799 persona. Krahasuar me janarin 2020, ky tregues rezulton me rënie 41,5 %.

“Daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit janar 2021, janë 450.581 duke shënuar një rënie me 46,5 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit janar 2021, janë 271.684. Krahasuar me janarin 2020, ky numër ka rënë me 48,8 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit janar 2021, janë 178.897. Krahasuar me janarin 2020, ky numër ka rënë me 42,6 %”, bën të ditur INSTAT.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.