Nafta falas për bujqësinë/ Përfituesit e parë të skemës tërheqin kartat, aplikimi vijon deri në 25 shkurt

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Fermerët aplikantë të Skemës së Naftës në Bujqësi kanë nisur pranë zyrave të Agjencisë Rajonale të Ekstencionit Bujqësor (AREB) tërheqjen fizike të kartës, që u mundëson atyre marrjen e sasisë së naftës me çmim të përgjysmuar për punimin e tokës bujqësore.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, ishte e pranishme në zyrën e AREB, Tiranë dhe ndoqi nga afër ecurinë e këtij procesi.

“Në Tiranë gjithçka po ecën normalisht dhe tani kemi përfituesit e parë të kësaj skeme që do të kenë mundësi të marrin sasinë e naftës falas”, – tha Ekonomi.

Xhevdet Bashllari, ishte njëri nga fermerët që tërhoqi fizikisht këtë kartë.

Ai u shpreh se, “më duket si një ëndërr kjo gjë. Kam 10 vjet që kam marrë tokë me qira nga shteti dhe tani po më del emri si përfitues për naftën”.

“Ëndrra po bëhet realitet për mua, – tha ai, ndërsa vuri në dukje se, – kisha dëgjuar që marrin fermerët karburant për bujqësinë, por se do të vinte kjo ditë për mua nuk e besoja”.

Ndërkohë Bashllari është përfitues edhe nga Skema Kombëtare e mbështetjes për Bujqësinë, masa për blegtorinë.

Fermerët në të gjithë vendin vijojnë aplikimin deri më datën 25 shkurt për të përfituar nga Skema Mbështetjes Naftë falas për Bujqësinë. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.