TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të banesave individuale, në bashkitë Shijak dhe Lezhë.
Kështu qeveria vendosi përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 563 607 000 (pesëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e gjashtëqind e shtatë mijë) lekë, për financimin e rindërtimit të banesave individuale për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para, në bashkitë Shijak dhe Lezhë.
Bashkisë Shijak i transferohet fondi, në masën 200 049 812 (dyqind milionë e dyzet e nëntë mijë e tetëqind e dymbëdhjetë) lekë, për rindërtimin e 69 (gjashtëdhjetë e nëntë) njësive individuale të banimit, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.
Bashkisë Lezhë i transferohet fondi, në masën 363 557 188 (treqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë) lekë, për rindërtimin e 125 (njëqind e njëzet e pesë) njësive individuale të banimit për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.
Sipas vendimit, efekti financiar, përballohet nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe u transferohet bashkive Shijak dhe Lezhë në formën e transfertës së pakushtëzuar. /a.a/r.e/