Masat antikovid/ Pika e kalimit kufitar të Kapshticës, e mbyllur deri në 8 mars

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton se pika e kalimit kufitar Kapshticë do të vijojë të jetë e bllokuar, deri më datë 8 mars 2021.

MEPJ bëri të ditur sot se “vendimi për shtyrjen e afatit të bllokimit është marrë nga qeveria greke, në kuadër të masave të marra mbi përballimin e situatës së krijuar, për shkak të pandemisë COVID-19”.

“Për pasojë, deri më datë 8 mars, dalja nga Shqipëria dhe hyrja drejt Greqisë nëpërmjet kësaj pike kalimi, do të vijojë të jetë e mbyllur”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, dalja nga Greqia dhe hyrja drejt vendit tonë, do të jetë e lejuar nga ora 06:00 deri në orën 22:00, vetëm për këmbësorët dhe mjetet e tonazhit të rëndë (kamionë mallrash).

Mjetet si autobusë, taksi, apo çdo mjet tjetër i transportit të pasagjerëve, nuk do të lejohet të kalojnë.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.