Kthimi i ligjit për zgjatjen e koncesionit të aeroportit të Tiranës/ Tabaku: Kjo aferë korruptive do të zhbëhet

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në një reagim në emër të Partisë Demokratike ka përshëndetur kthimin në Kuvend të ligjit për zgjatjen e koncesionit të aeroportit të Tiranës me 13 vite nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta.

Tabaka është shprehur se, “kryetari i Partisë Demokratike ka qenë i qartë dhe i prerë për këtë çështje dhe ka deklaruar se: kjo aferë korruptive do të zhbëhet”.

Sot, ka theksuar Tabaku, “fatkeqësisht Shqipëria është kthyer në një çiflig të 5 personave që po marrin porte, aeroporte e çdo pasuri publike. Kastrati përfiton Porto Romanon, përfiton traun që ndan shqiptarët dhe atij i falet dhe aeroporti”.

“Partia Demokratike është e vendosur për të zhbërë të gjitha koncesionet korruptive, është e vendosur për të hequr të gjitha përjashtimet fiskale që sot favorizojnë pak persona. Do heqim ligjin që favorizon me përjashtime nga renta minerare, ligjin që favorizon oligarkët që marrin jahte pa TVSH. Ligjin që përjashton nga taksat vetëm hotelet që ndërtojnë oligarkët që sot paguajnë 5 % tatimfitimin dhe 6 % TVSH për shërbimet”, ka shtuar Tabaku.

“Vetëm kështu Shqipëria fiton, vetëm kështu familjet shqiptare fitojnë, ekonomia çlirohet dhe barazia e mundësive kultivon shpresën. Shqipëria është e shqiptarëve ndaj me 25 prill Rama dhe oligarkët humbasin dhe Shqipëria fiton”, ka nënvizuar ajo.

Tabaku ka publikuar edhe twitterin e kreut të PD, Lulzim Basha të datës 29 janar, ku ka theksuar se, “çdo akt koncesioni, PPP apo zgjatje koncesioni i propozuar nga qeveria ne ikje, është në shkelje flagrante të ligjeve të vendit. Zotohem para çdo shqiptari se unë dhe qeveria ime nuk do të njohim asnjë akt të tillë dhe do ta zhbëjmë atë”.

“Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” do t’u kthehet shqiptarëve dhe shtetit të tyre sipas përcaktimeve fillestare të kontratës koncesionare. Shqipëria do t’u kthehet shqiptarëve”, pati nënvizuar Basha. /a.a/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.