Komisioneri Publik ankimon vendimin e KPK-së për prokurorin Kujtim Luli

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për prokurorin Kujtim Luli, i cili kaloi me sukses filtrin e Vetingut në shkallën e parë me shumicë votash, në muajin dhjetor.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 3 dhjetor 2020, të konfirmojë në detyrë prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Kujtim Luli, ndërkohë që një nga anëtarët votoi kundër. Procesi i rivlerësimit për prokurorin Luli u krye nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Xhensila Pinen.

Kujtim Luli e ka nisur karrierën si prokuror ushtarak në vitin 1992, funksion që e ka mbajtur deri në vitin 2002. Prej gati dy dekadash ai ka ushtruar funksionin e prokurorit në Prokurorinë e Përgjithshme. Në vitet 2015-2017, Luli ka punuar gjithashtu si prokuror pranë Prokurorisë së Apelit Durrësit. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më 17 nëntor, prokurori Kujtim Luli u përball me pyetje për përfitimin e një kredie të butë.

Relatorja e çështjes, Brundilda Bekteshi tha në seancë se Luli kishte përfituar kredi të butë, ndonëse zotëronte më parë një banesë me sipërfaqe 55.9 m2 të përfituar nga privatizimi.

Sot, Komisioneri Publik njofton se kërkon shkarkimin e prokurorit Kujtim Lulit në Komisionin e Posaçëm të Apelit.

“Komisioneri Florian Ballhysa, në respekt të afateve ligjore, ushtroj ankim ndaj vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Nisur nga parashikimi i nenit 179 i Kushtetutës dhe aneksit të Kushtetutës, konsiderojmë se, ndryshe nga sa disponon Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e rivlerësimit, duke marrë për bazë gjendjen e fakteve dhe provave në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë. Prandaj dhe Komisioneri Publik kërkon, që në zbatim të nenit 66, pika 1, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, Kolegji të vendosë: Ndryshimin e vendimit nr. 318, datë 3.12.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Kujtim Luli”, bëhet e ditur në njoftimin e Komisionierit Publik.

Vendimi i plotë i Komisionerit Publik:

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.