ITALI – Speranza: Nuk ekzistojnë kushtet epidemiologjike për të reduktuar masat antiCOVID-19

ROMË, 24 shkurt /ATSH-ANSA/ – Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza u tregua i qartë në ndjekjen e vijës së maturisë përsa i përket masave kundër koronavirusit, ndërsa ilustroi sot dekretin e ri ministror, i pari i qeverisë Draghi, që do të hyjë në fuqi nga 6 marsi deri më 6 prill, mbi masat e reja antiCOVID-19.

“Nuk ka kushte epidemiologjike për të reduktuar masat për të luftuar pandeminë. Jemi pranë vijës së finishit dhe nuk mund ta ulim vigjilencën”, tha Speranza.

“Prania e varianteve do të ndikojë në epidemi. Varianti britanik është i pranishëm në 17,8% të rasteve dhe së shpejti do të mbizotërojë, dhe përhapja e tij më e madhe e bën thelbësore ngritjen e nivelit të alarmit, por për fat të mirë nuk komprometon efikasitetin e vaksinave”, shtoi ai.

Ai theksoi se është thelbësore ruajtja e një qasjeje shumë të kujdesshme, sepse “me një nivel të tillë të incidencës së rasteve, kemi pesë rajone me kujdes intensiv mbi pragun kritik”./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.