FOTO-VIDEO-Merr formë spitali i ri Memorial i Fierit/ Qytetarët për ATSH-në: Investim shumë i rëndësishëm, i shërben gjithë jugut

TIRANË, 24 shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/ Vijon me ritëm të lartë puna për ndërtimin e spitalit të ri të Fierit, i cili pritet të jetë gati brenda muajit prill.

Me një sipërfaqe prej 50 000 metrash katrorë, 13 000 metra katrorë prej të cilave strukturë spitalore dhe me një kosto prej 70 milionë euro, spitali Memorial i Fierit është duke marrë gjithnjë e më shumë formë.

Evis Berberi, menaxher i projektit, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se puna po ecën mjaft mirë dhe se janë shpresëplotë se spitali do të jetë gati në kohën që u premtua.

“Ecuria po paraqitet e mirë. Po punohet me tre turne, me një staf prej 500 personash në terren, ku 300 janë nga Turqia dhe 200 nga Shqipëria. Po punohen paralelisht në grupe pune të ndryshme, disa për betonimin, hapjen e kanalizimeve, veshjet e mureve, disa për çatitë, gipset, ngritjen e kolonave, muret, dhomat. Pra në shumë segmente të caktuara po ecet në mënyrë të pavarur. Territori ku po punohet është 50 000 metra katrorë, ku 13 000 metra katrorë ndërtesë, ndërsa pjesa tjetër, lulishte dhe ambiente ndihmëse të spitalit, parkim, dhoma teknike, etj. Struktura me të cilën po punojmë është antisizmike. Strukturat metalike janë shumë elastike dhe kanë shkallë të lartë sigurie në aspektin sizmik. Po punojmë me materiale termoizoluese, për të kursyer energji. Spitali do ketë 150 dhoma me nga një shtrat. Në qendër të objektit do jetë pjesa diagnostifikuese, ndërsa struktura anësore do të shërbejë për të shtruar pacientët, që do kenë nevojë për kurim spitalor”, – tha Evis Berberi.

Drejtoresha e Spitalit të Fierit, Nevila Shuke, e cilësoi të shumëpritur investimin në ndërtimin e spitalit të ri rajonal të Fierit.

“Një investim i shumëpritur prej shumë vitesh, si për banorët e qytetit të Fierit, të qarkut e jo vetëm. Sigurisht në këtë investim të ri, ndërtimin e spitalit të ri rajonal, një falenderim i madh shkon për Kryeministrin Edi Rama, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për vetë ministren, që me këmbënguljen e tyre bënë realitet projektet e kornizuara në spitalin rajonal Fier. Realisht gjatë viteve të fundit në spitalin rajonal të Fierit janë bërë shumë investime, që kanë rritur cilësinë e shërbimit jo vetëm ndaj qytetarëve, por dhe standardet me të cilat punojnë stafet mjekësorë. Spitali i ri do të rrisë edhe më tej standardet sa i përket shërbimit dhe do të rrisë dhe standardet me të cilat do punojnë stafet mjekësore, mjekë, infermierë, shërbime mbështetëse, do ketë infrastrukturë bashkëkohore”, – tha Shuke.

Edhe qytetarët u shprehën për ATSH-në tejet entuziastë për këtë investim. “Ne e prisnim një spital të tillë prej shumë vitesh. E falenderoj Presidentin e Turqisë, Kryeministrin tonë. Bravo i qoftë që i vjen në ndihmë popullit! Bravo i qoftë, jemi të lumtur për ndërtimin e këtij spitali. Lajm i mirë për të gjithë jugun”, u shpreh një prej tyre.

“Shumë mirë, shumë bukur. Kur ka një vrull pune, kaq shumë bagazh punëtorësh, puna do të eci. I thonë 24 orë punë. E falenderojmë qeverinë, Edi Ramën për të gjithë të mirën që po bën”, tha një qytetar.

“Ne spitalin e Fierit e vlerësojmë shumë. Është kokë e madhe ai që premtoi. Besoj se do ketë kushte më të mira dhe me mjekë më me përvojë”, u shpreh një tjetër.

“I shërben popullit, lajm shumë i mirë. Nuk e prisnim të realizohej kaq shpejt”, tha një qytetar.

“Është lajm i mirë, sidomos për ata që kanë gjendje jo të mirë financiare, që kanë nevojë për një shërbim të mirë në publik”, theksoi një qytetar.

“Mendoj që është një investim shumë i mirë, sidomos me doktorë dhe mjekë profesionist. Një investim i rëndësishëm për vendin tonë”, – u shpreh qytetari për ATSH. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.