FOKUS – DIA: COVID-19 një mundësi ekonomike për mafian

ROMË, 24 shkurt /ATSH-AFP/ – Epidemia e COVID-19 në Itali përbën një mundësi për mafian për shkak të fluksit masiv të parave publike dhe projekteve të investimeve, paralajmëroi sot Drejtoria e Hetimeve antimafia (DIA).

“Vështirësia e pazakontë që ekonomia vendit po njeh për shakk të krizës së rëndë shëndetësore duhet të konsiderohet si një mundësi e madhe për organizatat kriminale, gjithmonë të gatshme për të zgjeruar bizneset e tyre”, theksoi DIA në raportin e saj gjashtëmujor.

Italia ka regjistruar rreth 100 000 të vdekur që prej fillimit të pandemisë dhe ekonomia e saj është goditur rëndë, me një rënie prej 8,9% të PBB-së, recesioni më i rëndë që prej Luftës së Dytë Botërore.

“Për të ringjallur vendin dhe për të përballuar situata krize do të jetë e pashmangshme lehtësimi i procedurave për tendera dhe shërbimet publike”, theksoi DIA.

“E gjithë kjo do të sjellë rreziqe serioze të depërtimit të mafies në ekonominë ligjore, në mënyrë të veçantë në sektorin e shëndetësisë,” paralajmëron raporti.

“Në të njëjtën kohë, grupet e ndryshme kriminale ka shumë të ngjarë të përpiqen të kapin mjetet e reja të financimit të cilat do të vihen në dispozicion për ndërtimin dhe forcimin e punëve dhe infrastrukturës kryesore, përfshirë digjitalizimin”, vlerëson DIA.

Italia do të përfitojë nga ndihma e Bashkimit Europian me rreth 200 miliardë euro për të rritur ekonominë e saj./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.