Basha prezanton programin për energjinë: Ulje të çmimit të energjisë, fokus kryesor miradministrimi i OSHE-së

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kreu i PD-së Lulzim Basha prezantoi programin për energjinë ku deklaroi se, “do të ulim faturën e energjisë elektrike për 70 % të familjeve shqiptare duke ngritur një sistem faturimi me dy fasha dhe duke ulur çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kV/orë në muaj”.

Në fjalën e tij, Basha tha se, “të gjithë tashmë e dinë se Shqipëria ka ngecur në vendnumëro me Ramën këto 8 vite, ndaj nuk kemi përparim në asnjë drejtim: as në ekonomi, as në shëndetësi, as në turizëm, dhe as në integrim”.

“Gjatë 8 viteve të dështimit të Ramës, na thanë se çmimi i energjisë nuk mund të ulet.  Por ja që është e mundur! Dhe kjo varet vetëm prej nesh. Nëse duam ndryshim, duhet të heqim qafe Ramën dhe të ulim çmimet.  Edhe për këtë plan ne i qëndrojmë parimit: nëse nuk do ta zbatojmë, nuk do të kërkojmë një mandat tjetër”, tha Basha.

Ai tha se, “ne do të liberalizojmë tregun e energjisë elektrike, duke u dhënë konsumatorëve MUNDËSINË të zgjedhin vetë se te cili operator do ta blejnë energjinë”.

Basha shtoi se, “biznesi do te furnizohet më lirë dhe më mirë, duke rritur kështu konkurrueshmërinë e tij dhe mundësitë për të gjeneruar punësim. Ne do të zhdukim nga qarkullimi gjeneratorët, sepse është skandal për ekonominë shqiptare që në vitin 2021, siç e dëgjuam edhe nga vetë të dhënat e Bankës Botërore, gati gjysma e bizneseve deklarojnë se përdorin gjeneratorin për furnizim”.

Gjithashtu, kreu i PD-së theksoi se, “investimet në rrjetin e shpërndarjes do të shkojnë atje ku duhet, dhe jo ne xhepat e administratoreve të korruptuar. Kompanitë publike do t’i kthejmë në ekonomikisht të qëndrueshme, me fokus kryesor mirëadministrimi i OSHE-së”.

“Unë angazhohem për bashkimin e tregjeve të energjisë me Kosovën duke kombinuar prodhimin nga TEC-et në Kosovë për energji elektrike bazë, ndërsa ajo e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për të mbuluar kërkesën në kohën e pikut. Do të marrin fund ditët e nëpërkëmbjes dhe pagesave korruptive që i kërkohen investitorëve dhe sipërmarrjes nga kjo administratë. Ne do të ulim çmimin dhe do të rrisim cilësinë e karburantit për qytetarët, përmes politikave fiskale, ku veçoj heqjen e taksës Rama prej 240 lekë/litër karburanti dhe duke hapur tregun e duke zhbërë dhe çmontuar monopolet që ekzistojnë sot”, shtoi më tej ai.

Basha tha se, “ne do të nxisim fuqishëm prodhimin e energjisë nga burime të gjelbërta dhe të pastra me fokusi energjinë hidrike dhe atë të erës. Do të nxisim ndërtimin e kapaciteteve të reja të mëdha si energji të pastër në bazë, ndërsa rezervat hidrike të KESH do t’i përdorim për energjinë e balancimit apo energjinë në pik”.

“Përparësi reformave tona në këtë sektor do të jetë lufta pa kompromis ndaj korrupsionit, evazionit dhe kontrabandës që sot ka kapur sektorin. Ky fenomen, sot po rrënon pasurinë kombëtare dhe po dëmton rëndë konsumatorët. Ne do të zhdukim monopolet dominuese në tregun hidrokarbur, si dhe do të forcojmë luftën ndaj evazionit fiskal e do të mundësojmë dyfishimin e investimeve private në sektorin e naftës, i cili vitet e fundit po vuan rënien e ndjeshme të këtyre investimeve për kërkim-zbulim-prodhimin e naftës”, tha ai, duke shtuar se, “kontrolli i rreptë i cilësisë së karburanteve do të jetë një tjetër prioritet absolut dhe angazhim i qeverisë tonë. Cilësia e karburantit për përdorim industrial apo familjar do të arrijë standardin europian brenda 180 ditëve të para të qeverisjes sonë. Ky është angazhimi që marrim përpara jush sot”.

Ai u shpreh se, “ne do të lidhim gazsjellësin TAP me TEC-in e Vlorës, do të gazifikojmë zonat industriale dhe do të aplikojmë projektin e magjistralit Jon-Adriatik, duke siguruar një lidhje me magjistralin e gazit me Kosovën”.

Në sektorin minerar, deklaroi Basha, ne angazhohemi për të rritur 150 % Investimet e Huaja Direkte dhe do të dyfishojmë kontributin e këtij sektori në ekonomi.

“Ne jemi gati të shqyrtojmë në bashkëpunim me shoqatat e minatorëve, çdo përfitim të veçantë për minatorët, për sakrificat që ata bëjnë dhe që shoqëria ua ka borxh, përfshirë këtu përfitimet sipas një statusi dinjitoz për punë të vështirë si dhe për t’u lehtësuar sadopak pleqërinë me pensione po ashtu dinjitoze. Menjëherë pas zgjedhjeve, unë do të përqendroj të gjithë fuqinë e shtetit në dy detyra të tjera kryesore: zgjidhja e problemeve të përmbytjeve të qyteteve tona dhe përfundimin me shpejtësi i riparimit dhe rehabilitimit të të gjitha dëmeve të tërmetit”, u shpreh ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.