Pandemia/ Alimehmeti: Po i njëjti virus, vetëm është rritur transmetueshmëria

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Mjeku Ilir Alimehmeti u shpreh sot se duhet vepruar për moslejimin e grumbullimeve për uljen e rasteve të infektimit me COVID-19, pasi sipas tij, kufizimi i orarit të qarkullimit duhet shoqëruar edhe me këtë masë që të japë efekt.

“Nëse ne luajmë vetëm me orarin e darkës dhe s’bëjmë asgjë për vendgrumbullimet është shumë e thjeshtë që nëpërmjet spostimit të orarit do ketë dendësi nëpër kafene, që në këtë moment janë situata më e vështirë. Kemi pasur shifra më të larta ndaj edhe masat duhet të jenë më të larta”, u shpreh ai.

“Këto 4-5 javët që kemi përpara do të jenë më të vështirat. Gabimi është edhe me mezazhet që japim, pra e dimë që problematika tek të rinjtë është shumë, shumë herë më e ulët se tek të vjetrit. Mesazhi për të rinjtë është të bëjnë kujdes, sepse e çojnë këtë virus në shtëpi. Po dhamë mesazhin e gabuar do marrim dhe përgjigjen e gabuar”, vijoi mjeku.

Në lidhje me mutacionet e virusit, Alimehmeti u shpreh se, “është po i njëjti virus, vetëm është rritur transmetueshmëria”.

Pra kemi më shumë raste, por problematika mbetet po njësoj. Shumica e rasteve në fazën e parë nuk ka nevojë për ekzaminim dhe protokolli i terapisë është më bazë saqë nuk bëhet më tepër.
Për shkak të shifrave në rritje, automatikisht kemi edhe panikun që shkaktohet, si pasojë kjo i çon pacientët që të rendin drejt medikamenteve apo trajtimeve me antibiotikë, shpesh edhe pa u konsultuar me mjekun. Kjo ka kosto financiare por edhe shëndetësore, ndaj edhe Alimehmeti rekomandon që, “është mjeku që vendos, por tek të gjithë nis njëlloj me një fazë që quhet faza virale, dhe në këtë fazë analizat janë vetëm për simptomat. Kurse në rastet që kemi një mbivendosje bakteriale mjeku shkon drejt trajtimit me antibiotikë. Mjeku i familjes ka presion edhe si qytetar, por edhe kërkesë të shtuar nga pacientët për analiza dhe mjekime. Është e vështirë për mjekun të bëjë një edukim shëndetësor. Ka shumë mjekë që nuk japin trajtime dhe pacientët shkojnë i bëjnë vetë, duke thënë që mjekët nuk dinë. Në fazë virale nuk janë të nevojshme trajtimet”, u shpreh Alimehmeti.

Ai u ndal dhe te dobia e vitaminës D duke shpjeguar se nuk duhet dhënë përpara, sepse merret në mënyrë natyrale dhe duhet marrë duke dalë jashtë nëpërmjet aktivitetit të përditshëm.

“Por 4 në 5 shqiptarë kanë deficiencë të vitaminës D dhe dimë nga të dhënat që, ata që kanë vitaminë D të lartë në gjak kanë edhe një rrezikshmëri më të ulët për infeksion apo vdekje nga Covid-19. Këtë e kemi vënë re tek faktorët e riskut si obeziteti, hipertensioni apo mungesa të vitaminës D dhe janë të trashëguar nga vitet e jetës së mëparshme”, u shpreh mjeku Ilir Alimehmeti.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.