Numri i votuesve me kartë të skaduar identiteti/ Celibashi kërkon informacion nga Gjendja Civile

TIRANË, 23 shkurt /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi i ka dërguar sot një kërkesë drejtorit të përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj ku i kërkon informacion mbi numrin e kartave të identitetit dhe pasaportave të cilave u ka skaduar afati.

Në kërkesën zyrtare, Celibashi kërkon informacion mbi numrin e votuesve të cilëve u ka skaduar afati i shfrytëzimit të kartës së identitetit dhe pasaportës.

“Lutemi të na vini në dispozicion numrin e votuesve të cilëve u ka skaduar afati i shfrytëzimit të kartës së identitetit dhe pasaportës deri ditën të cilën do t’i ktheni përgjigje kësaj kërkese. Gjithashtu nëse është e mundur të na informoni se sa mund të jetë numri i realizimit të kërkesave të zgjedhësve për rinovim të kartës së identitetit dhe/ose pasaportës deri në datën 25 prill 2021”, thuhet në kërkesën e drejtuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Celibashi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.