“Më shumë demokratë ka jashtë PD”/ Topalli prezanton kandidatët e Tiranës: Ndryshimi që kërkojmë të ndjekim, jemi vetë ne

TIRANË, 23 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli prezantoi sot grupin e parë të kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës.

Ish-kryetarja e Kuvendit dhe ish-nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli ka ofruar ekipin e saj të kandidatëve për deputetë në Tiranë, të cilët do të garojnë për zgjedhjet e 25 prillit.

Topalli tha se kandidatët e partisë së saj janë ndryshe nga politikanët e vjetër dhe synojnë të sjellin shpresën në Shqipëri.

“Ndryshimi nuk vjen nëse presim për një kohë tjetër, ndryshimi që kërkojmë të ndjekim jemi vetë ne. Thonë që koha i ndryshon vetë gjërat, por duhet të jemi ne vetë ta bëjmë atë”, u shpreh Topalli.

“Të bëjmë atë që kemi në dorë, në vend që të ankohemi për atë që nuk mundemi. Lëvizja për Ndryshim synon të kthehet në shpresë, jemi kundër korrupsionit të instaluar në çdo qelizë të shtetit nga tre kryetarët e tre partive”, vijoi ajo.

“Përtej Ramës, Bashës e Metës ka 3 milionë shqiptarë të tjerë patriotë, jo si këta që na kanë marrë peng. Ata të tre janë përgjegjësit që në Shqipëri s’ka shpresë dhe një të djathtë reale”, theksoi Topalli.

Sipas saj, ata janë përgjegjësit e polarizimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë.

“Vetëm te ne ndodh që të mos ketë aq qeveri e as opozitë, sa më shumë demokratë ka jashtë PD. Ata të tre janë përgjegjës të pabarazisë së frikshme mes miliardëve bandit dhe shumicë së varfërve, ftesa jonë nuk është për ata që nuk ndryshojnë mendje, t’i kthejmë shpresën e dinjitetin çdo shqiptari. Shqipëria nuk është e Ramës, Monës, Metës, dhe e Lulëzimit”, tha Topalli.

“Ftesa jonë nuk është për ato që nuk ndryshojnë mendje, por ftojmë mendje hapurit, të ndershmit, çdo të ri, prind që duan t’i kthejnë dinjitetin çdo shqiptari. Kjo është lista më e mirë e tre dekadave me profesionistë të nderuar, mjekë e të rinj të shkëlqyer. Janë të pakorruptuar, dinjitozë, njerëz me kurajo”, tha Topalli.

Topalli paraqiti dhe kandidatët ku lista kryesohet nga Elida Hoxha, pedagoge.

Topalli sqaroi se ditët e ardhshme, do të vazhdojë prezantimin e kandidatëve për deputetë në qarqe të ndryshme si dhe të programit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.