Mandati i tretë, konfirmim i arritjeve dhe vijim i punëve të nisura/ Reforma në Drejtësi po jep rezultate

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ “Partia Socialiste meriton një mandat të tretë. Aeroporti i Kukësit, Rruga e Arbrit, Reforma në Drejtësi dhe një sërë investimesh të rëndësishme në shëndetësi dhe në të gjitha fushat e jetës, janë arsyeja se përse PS do të fitojë më 25 prill një mandat të tretë”.

Kështu theksoi gjatë një interviste televizive zv.ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ku tha, se objektivi i Partisë Socialiste është mandati i tretë qeverisës, pasi e meriton duke parë dhe punën që ka bërë.

I pyetur për gjobat e vendosura nga Policia e Shtetit ndaj subjekteve politike të cilat kanë shkelur masat antikovid Lamallari tha se shëndeti i qytetarëve është primar.

“Sigurisht, masat vendosen ndaj shkelësve të protokolleve dhe ligjeve në fuqi. Më tepër se sa kujt i vihen, apo numrit të tyre, rëndësi ka shkelja në vetvete. Pasi shkelja është një kërcënim ndaj jetës së qytetarëve dhe gjithë masat, pavarësisht numrit të tyre, kanë vetëm një qëllim, për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së COVID-19 ndërprerjen e zinxhirit të infektimit. Prandaj të gjitha masat merren në kuadër të përballimit të situatës dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pavarësisht bindjes politike që ata kanë”, – tha Lamallari.

Për fushatën zgjedhore në kohë pandemie Lamallari u shpreh se, “së pari, është detyrim ligjor për të gjithë është të respektojnë aktet normative dhe protokollet e rekomandimet të ekspertëve të fushës, që rekomandojnë mbajtje maske, distancim social, apo dhe të tjera, që janë në funksion të parandalimit të përhapjes së COVID-19. Kjo është pjesa e detyrueshme, pjesa tjetër është detyrimi moral  i çdo qytetari dhe akoma më shumë i çdo eksponenti apo përfaqësuesi politik, të cilët kanë detyrimin ligjor dhe moral për të shmangur grumbullimet me qëllimin kryesor mbrojtjen e jetës dhe shëndetit”.

Ai tha se Policia është e trajnuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

“Garantimi i rendit dhe sigurisë publike është detyrë funksionale e Policisë së Shtetit. Ata janë të trajnuar tashmë për zbatimin e detyrave që ata kanë. Çdo punonjës i Policisë së Shtetit si në nivel qendror apo bazë, është i përgatitur për të luajtur rolin e paracaktuar nga ligji para procesit, gjatë procesit dhe në përfundim të procesit zgjedhor, në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor dhe ligjit të funksionimit të Policisë së Shtetit”, – shton Lamallari.

Mbi dokumentet biometrike Lamallari tha se pasaportat biometrike dhe kartat e identitetit janë dokumentet që nevojiten për të votuar ditën e zgjedhjes.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mos hezitojnë për të rinovuar mjetet e tyre të identitetit në çdo zyrë të ALEAT. Kjo thirrje nuk vjen vetëm për të votuar ditën e zgjedhjeve, por dhe në kuadër të rëndësisë që ka dokumenti i identifikimit për të realizuar detyrime të tjera ligjore apo për të përmbushur nevojat e gjithësecilit në institucionet ku bëhet dhe identifikimi i qytetarëve. Po diskutohet dhe çështja e dokumenteve të skaduara nga KQZ dhe ka një vullnet që t’i jepet mundësia për të votuar të gjithëve”, – tha Lamallari.

Për mundësinë e votimit të personave të infektuar me COVID-19, Lamallari nënvizoi se e drejta për të votuar është për të gjithë. “Është KQZ ai që parashikon mënyrat dhe jep udhëzime për situata të caktuara. Mos harrojmë që kur flitet për jetën e shëndetin e qytetarit është parësore”, – tha Lamallari.

Lamallari tha se shkelja më e madhe sa i takon masave antikovid është ajo që ka të bëjë me mbajtjen e maskës. “Kryesisht nga raportimet ditore të Policisë së Shtetit, numri më i madh i shkeljeve është konstatuar në lëvizjet pa maskë. Po ashtu ka problem dhe në transportin rrugor, ku kemi vënë re se ka lëvizje me automjete të personave jofamiljarë në automjet. Ka patur raste dhe nga bizneset që nuk kanë respektuar protokollet e sigurisë apo distancimin social”, – tha Lamallari.

I pyetur për përfshirjen e eksponentëve kriminalë në fushatën zgjedhore Lamallari tha se cilido ka informacion në këtë drejtim të bëjë denoncimin përkatës tek organet e rendit.

“Policia e Shtetit çdo ditë, në çdo moment bashkëpunon me partnerët kombëtarë dhe shkëmben informacione për forma të krimit të organizuar apo individ të përfshirë në krim. Çdo person që merr barrën për të denoncuar publikisht një informacion të caktuar, duhet të marrë kurajon dhe ta denoncojë edhe në organet përkatëse”, – tha Lamallari.

Lamallari tha se Reforma në Drejtësi po jep fryte dhe është një nga arritjet më të mëdha të kësaj qeverie.

“Do preferoja të distancohem nga çdo deklaratë kundër partnerëve tanë strategjikë. Ne jemi sot këtu ku jemi në Reformën në Drejtësi që s’ka kthim pas, jemi falë vullnetit të PS dhe ndihmës së partnerëve tanë. Po ashtu e dimë se kush e sulmoi këtë reformë, duke mos lënë asnjë gur pa përdorur për ta ndaluar këtë reformë. Kjo reformë sot ka dhënë rezultate shumë të mira dhe kjo falë dhe mbështetjes së pakursyer të partnerëve tanë dhe vullnetit të Partisë Socialiste. Falë Reformës në Drejtësi janë larguar nga sistemi gjykatës e prokurorë të korruptuar, duke u lënë në detyrë prokurorë e gjykatës me integritet, të cilët çojnë përpara drejtësisë atë që ka shkelur ligjin, duke luftuar kështu dhe krimin e organizuar”, – tha ai.

Duke iu kthyer fushatës elektorale Lamallari tha se nuk kanë rëndësi emrat e përveçëm, por vetëm Partia Socialiste dhe arritjet e qeverisë.

“Të gjithë do jemi bashkë më datë 25 prill ku do të konfirmohet nga vota e qytetarëve punët e mira të bëra nga kjo qeveri. Puka tashmë është një atraksion turistik i mirëfilltë, në Kukës, kemi aeroportin e Kukësit. Rruga e Arbrit, në Dibër po bëhet realitet. Brenda vitit përfundon ky segment rrugor, që është dhurata më e bukur që mund t’i dhurohet shqiptarëve, dibranëve, apo shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Një dhuratë që do mbetet për breza të tërë. Teatrot, veprat e artit kulturës dhe trashëgimia kulturore ka qenë në fokus. Investimet në shëndetësi, arsim, bujqësi, reformat fiskale për të ndihmuar fermat bujqësore me inputet bujqësore apo makineritë etj., etj. Sa i takon rendit dhe sigurisë, është përgjysmuar numri vrasjeve po të krahasohet me 2013”, – përfundoi Lamallari.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.