TIRANË, 23 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli të martën se vendimi i ndalimit të Alaudin Malajt për emërim në sistemin e drejtësisë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas dorëheqjes është i drejtë, ndërsa pretendimet e tij për konflikt interesi të dy anëtareve të KPK janë të pabazuara në ligj dhe në prova.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi sot, seancën gjyqësore publike të çështjes që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Alaudin Malaj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Gjatë verifikimit të prezencës së palëve, kryesuesja e seancës konstatoi mungesën e subjektit të rivlerësimit dhe bëri me dije se ky i fundit, në formë shkresore, i ka paraqitur trupit gjykues pretendimet përfundimtare, duke kërkuar pranimin dhe shqyrtimin e tyre nga Kolegji.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit rrëzoi sot në tërësi ankimin e ish-gjyqtarit Alaudin Malaj duke i dhënë fund epopesë të njeriut të njohur si një nga gjyqtarët më të pasur në vend, sipas deklarimit të tij të pasurisë.
Malaj doli nga sistemi i drejtësisë në korrik të vitit të kaluar kur dorëzoi një letër dorëheqjeje nga posti. Për shkak të dorëheqjes, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli në shtator pranimin e dorëheqjes dhe ndalimin e Malajt nga emërimi në sistemin e drejtësisë për një periudhë pesëmbëdhjetë vjeçare.
/a.a/r.e/