Koleksioni i artit dhe mobiliet e stilistit Kenzo në ankand

PARIS, 23 shkurt /ATSH-AFP/ – Piktura, mobilie, skulptura, xhingla, enë… gjithsej 600 pjesë që përmbledhin universin personal të stilistit japonez Kenzo Takada, i cili humbi jetën në tetor, në moshën 81-vjeçare nga COVID-19, do të ofrohen në ankand më 11 maj në Paris, njoftoi sot shtëpia e ankandeve “Artcurial”.

Figurë e modës ndërkombëtare, stilisti i parë japonez që u vendos në Paris, Kenzo e kishte zbukuruar apartamentin e tij të fundit në Saint-Germain-des-Prés, Paris, me gjithë krijimtarinë e tij të ushqyer nga shumë ndikime.

Në katalog, një kalë prej druri Hinoki nga periudha Han me një vlerësim të lartë prej 30 000 eurosh dhe një Buda e shekullit III, si edhe pjesë të artit parakolumbian dhe të periudhës Art Deco.

Për herë të parë, do të ofrohen edhe piktura të realizuara nga Kenzo.

“Mobiliet, pikturat, objektet dhe veprat e artit krijojnë një ekuilibër delikat midis ndikimeve të Lindjes dhe Perëndimit, duke pasqyruar shpirtin e përjetshëm të këtij gjeniu krijues”, u shpreh drejtuesi i ankandeve, Stéphane Aubert./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.