FDA paralajmëron 10 kompani për shitjen e paligjshme të shtesave dietike

UASHINGTON, 23 shkurt /ATSH-DPA/ – Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) u ka dërguar letra paralajmëruese 10 kompanive për shitjen e paligjshme të shtesave dietike që pretendojnë të kurojnë, trajtojnë, zbusin ose parandalojnë depresionin dhe çrregullime të tjera të shëndetit mendor.

Sipas agjencisë, shitja e këtyre shtojcave dietike, të cilat janë ilaçe të reja të pa aprovuara, mund të dëmtojë potencialisht konsumatorët që përdorin këto produkte në vend që të kërkojnë trajtime të provuara nga profesionistë të kualifikuar shëndetësorë.

Letrat paralajmëruese iu dërguan kompanive Enlifta LLC, Lifted Naturals, Mountain Peak Nutritionals, SANA Group LLC, Wellness Wholesome, Dr. Garber’s Natural Solutions, ProHealth Inc, Blossom Nature LLC, FDC Nutrition Inc dhe Silver Star Brands, Inc.

Ky paralajmërim i FDA vjen në një kohë kur konsumatorët janë edhe më të ndjeshëm ndaj depresionit dhe problemeve të shëndetit mendor mes pandemisë së vazhdueshme Covid-19.

Sipas Aktit FD&C, produktet e destinuara për të kuruar, trajtuar, zbutur ose parandaluar sëmundjen janë ilaçe dhe duhet të aprovohen nga FDA, edhe nëse etiketohen si shtesa dietike.

Agjencia tha se nuk ka vlerësuar nëse këto produkte të pa aprovuara janë efektive për përdorimin e tyre të synuar, dozën e saktë dhe nëse këto produkte bashkëveprojnë me ilaçe të aprovuara nga FDA ose substanca të tjera, ose nëse ato kanë efekte anësore të rrezikshme ose shqetësime të tjera të sigurisë. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.