Ekonomi në fermën blegtorale “Pepa”, në Elbasan: Veterinerët monitorojnë sigurinë ushqimore

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi, vizitoi dhe u njoh nga afër me një fermë blegtorale në Gostimë (Elbasan), e cila kishte një histori të veçantë.

“Endri i rikthyer nga emigracioni disavjeçar në Itali, vendos të ndërtojë një fermë duke ndjekur hapat e babait të tij për t’u marrë me blegtori. 900 krerë bagëti të imta kanë kujdesin jo vetëm të tij por edhe Shërbimit Veterinar Kombëtar, që monitoron ecurinë e fermës periodikisht”, shprehet Ekonomi.

“Kam ardhur për të bërë një vizitë këtu në fermën blegtorale që mbarështon dele me emrin Pepa. Në fakt unë jam e shoqëruar nga disa punonjës që bëjnë kujdes për blegtorinë në vend. Bëjnë kujdes dhe për cilësinë e produkteve blegtorale, por japin edhe këshilla për fermerët. Ferma që kemi këtu aktualisht ka 900 krerë bagëti të imta dhe numri i krerëve në kohën e verës shkon 1500”, tha Ekonomi.

Endriti, sipërmarrësi i fermës, u shpreh se ka jetuar në Itali 8 vjet dhe është kthyer në vendlindje, për të vazhduar aktivitetin që siç tha ai, “ma ka lënë babai, me blegtori të imët, por kryesisht merrem me rritjen e qengjave vetëm për mish”.

“Jam shumë i kënaqur dhe nga qeveria shqiptare që më ka ndihmuar me subvencionet e shtetit, edhe shpresoj që do na ndihmojë dhe akoma e më shumë, në fushën e blegtorisë”, tha ai.

I pranishëm në këtë takim, drejtori i përgjithshëm i AKU-së, Bledar Skënderi tha se në Elbasan shërbimi veterinar është në mëkëmbje.

“I gjithë ekipi i Ministrisë së Bujqësisë përpiqet nga fillimi i mbarështimit të tufës deri në momentin që produkti final, mishi, të dalë në treg. Domethënë, të gjitha ekipet në mënyrë të njëpasnjëshme përpiqen që tufa të marrë vaksinat e duhura”, tha Skënderi.

Autoriteti kombëtar i Ushqimit kontrollon që gjedhët ose bagëtitë të therren në therrtore të licencuara, të shikohen nga shërbimi veterinar që i vendosin vulën, të shohi a është mish i matrikulluar, për të siguruar që konsumatori në fund të gjithë kësaj pune kaq të lodhshme të marri një produkt të shëndetshëm”, tha Skënderi.

Endrit Ferhati, mjek veteriner shërbimi për njësinë administrative Gostimë, që është punësuar në dhjetor të vitit të kaluar tha se, “në fokus të punës time është matrikullimi dhe vaksinimi i kafshëve blegtorale, si një nga elementët kryesorë në rritjen e sigurisës ushqimore për konsumatorët”.

Ministrja Ekonomi gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit në këtë fermë u shpreh se, “nuk ikim dot nga ferma pa falenderuar një njeri të veçantë që duhet për fermën ‘Pepa’, që është profesor Petrit Dobi”.

“Ti ke një dele rudë që është autoktone dhe është raca më e mirë e deleve që kemi në vendin tonë”, i tha ministrja Ekonomi fermerit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.