Denaj: 7,2% të PBB për investime publike që mbështesin rritjen ekonomike 5.5% dhe punësimin

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se krahas lehtësimit të barrës fiskale në 2021 qeveria ka në fokus dhe investimet publike.

Gjatë një interviste televizive Denaj theksoi se “financojmë 7,2% të PBB nga buxheti i shtetit, për investime të rëndësishme që do të nxisin rritjen e ekonomike dhe punësim në sektorët ku këto fonde do të shkojnë dhe ne kemi parashikuar rritje ekonomike me 5,5% në 2021″.

Duke u ndalur në politikat fiskale në mbështetje të biznesit të vogël dhe individit, Denaj theksoi se, “kemi zeruar tatimfitimin për të gjithë biznesin e vogël me qarkullim 0-14 milionë lekë, nga janari i këtij viti dhe për 8 vitet e ardhshme. Njëkohësisht kemi rritur në masën 21%, biznesin që përfiton nga heqja e TVSH-së”.

Sipas saj, të dy këto masa kanë një efekt financiar në buxhetin e shtetin në vlerën  5 milionë lekë, të cilat i shkojnë biznesit për zhvillim dhe nxitjen e punësimit.

Ajo tha se treguesit e borxhit publik, deficiti dhe rritja ekonomike për vitin 2020 janë shumë herë më të përmirësuar se parashikimet e bëra dhe kjo falë masave të marra nga qeveria.

Ndërsa theksoi se “nuk do të ketë borxh publik të rritur, për masat fiskale, të clat nuk janë premtime por realitet i prekshëm nga biznesi dhe individët dhe borxhi publik edhe pse ishte parashikuar më i rritur në kushtet e vështira që kaloi vendi, nga tërmeti dhe pandemia, vjen më i reduktuar aktualisht”.

Lidhur me skemën e pensioneve, ministrja vuri në dukje se, kjo skemë mbështetet nga  buxheti i shtetit dhe oferta e opozitës për të është jo reale.

“Ajo është një skemë deficitaren 40% të së cilës e mbulon buxheti i shtetit,  si mundet të premtosh shpenzime më të larta dhe reduktim të ardhurash. Kjo zgjeron deficitin dhe nuk është një tezë e besueshme”- deklaroi Denaj.

Ministrja tha se zgjerimi i fashës për taksa progresive është një alternativë që po diskutohet sikurse rritja e pagës minimale e cila është në masën 30 mijë lekë.

“97% e shqiptarëve paguajnë më pak se 2013 dhe 6% e shqiptarëve paguajnë një tatim mbi pagën mbi 9%”- theksoi Denaj.

Ajo solli në vëmendje se kjo shifër përfaqëson individët që marrin një pagë mbi 110 mijë lekë dhe nëse fasha zgjerohet do të ketë një reduktim të këtij numri.

Në lidhje me amnistinë fiskale Denaj bëri të ditur se, është përgatitur një ligj me ndryshimet përkatëse për të rritur efektivitetin e këtij procesi. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.