DASH vlerëson Dvoranin si nismëtar kryesor të reformimit të sistemit gjyqësor/ Reagime

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, gjyqtari Dvorani u rendit nga DASH si një prej 12 Kampionëve që morën çmimin Ndërkombëtar të Departamentit të Shtetit për Kampionët Kundër Korrupsionit.

Në deklaratën zyrtare, DASH thekson se, “Ardian Dvorani, gjyqtar dhe anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, është një figurë kryesore e reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë. Gjykatësi Dvorani zhvilloi mekanizma për të zvogëluar ndikimin politik dhe kriminal në sistemin e drejtësisë, hapa që kontribuan në vendimin e BE në mars për të hapur negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë. Gjykatësi Dvorani ishte gjithashtu një anëtar i rëndësishëm i grupit të ekspertëve që zhvilluan vizionin dhe dispozitat ligjore për reformën në drejtësi në Shqipëri, duke ndihmuar në luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve gjyqësore të sapokrijuara të Shqipërisë, pas ndryshimeve të mëdha kushtetuese në sistemin e drejtësisë në Shqipëri në 2016. Profesionalizmi i tij çoi në mbrojtjen kushtetuese të organit të ri antikorrupsion të Shqipërisë, Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”.

Pas këtij çmimi, Kryeministri Edi Rama deklaroi se, “Ardian Dvorani u godit harbutërisht pikërisht se nuk iu dorëzua presionit të së Keqes dhe ky vlerësim rrezatues e shkrin krejt atë baltë imoraliteti politik e mediatik, që u hodh pa kursim mbi të, duke provuar edhe njëherë se e drejta vonon po nuk harron”.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, reagoi duke thënë se, “Ramaforma ngordh më 25 prill me 3 milion shpulla dhe shkelma të shqiptarëve, kundër teje, oligarkëve dhe diplomatëve të korruptuar deri në palcë. Shqipëria e para dhe e pamposhtur”.

Edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i shprehu sot urimet më të mira gjyqtarit Ardian Dvorani për përzgjedhjen mes 12 kampionëve kundër korrupsionit në botë nga Sekretari i Shtetit i SHBA, Anthony Blinken.

Ndërsa kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu mirënjohje ndaj SHBA-së dhe BE-së për mbështetjen e vazhdueshme që i japin zbatimit të Reformës në Drejtësi. “Sulmet e dëshpëruara të Ilir Metës, pas të cilit qëndrojnë Sali Berisha, Lulzim Basha & co, kundër Reformës dhe kundër institucioneve të reja të Drejtësisë nuk mund të cënojnë aspak këtë reformë historike”, tha Balla.

Në kuadër të implementimit të Reformës në Drejtësi, veçanërisht për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta e akuzoi kreun e KED, Ardian Dvorani për shkelje të Kushtetutës.

Meta e kallëzoi Dvoranin në Prokurori për dy vepra penale, atë të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës dhe titullit shtetëror. “Të kallëzuarit Ardian Dvorani duhet t’i ndalohet menjëherë veprimtaria e organizuar kriminale për vonimin e procesit të plotësimit të Gjykatës Kushtetuese, që vendin e fundit vakant në të, t’ia ruajë vetes”, është shprehur Meta.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.