BRUKSEL – BE kërkon shpjegime nga Gjermania mbi ndalimet e hyrjes në vend

BRUKSEL, 23 shkurt /ATSH-DPA/ – Gjermania është nën presion për të shpjeguar ndalimet e saj të hyrjes në territorin e saj të qytetarëve nga Republika Çeke, Sllovakia dhe Tiroli, pasi Komisioni Europian u ankua në një letër se masat ishin joproporcionale dhe të pajustifikuara.

“Ne besojmë se qëllimi i ndjekur me të drejtë i Gjermanisë, mbrojtja e shëndetit publik gjatë një pandemie, mund të arrihen me masa më pak kufizuese”, i shkruajti organi ekzekutiv i BE-së ambasadorit gjerman në bllok, Michael Clauss.

Letra drejtuar autoriteteve gjermane jep 10 ditë kohë për përgjigje.

Në teori, mosmarrëveshja mund të çojë në veprim juridik kundër shtetit anëtar, megjithëse kjo konsiderohet e pamundur gjatë pandemisë Covid-19.

Letra të ngjashme u dërguan në Belgjikë, Hungari, Danimarkë, Suedi dhe Finlandë, kufizimet kufitare të të cilave u pritën me mosmiratim në Bruksel.

Me kërkesë të Komisionit, ministrat e Çështjeve Europiane të shteteve anëtare do të mbajnë një konferencë për të diskutuar masat kufitare.

Republika Çeke, Sllovakia dhe Tiroli u shtuan në listën gjermane të “zonave të varianteve shqetësuese” më 14 shkurt, duke ndaluar shumicën dërrmuese të njerëzve atje të hyjnë në Gjermani, me disa përjashtime, për shembull për shoferët e kamionëve./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.