Berat/ Punimet restauruese në xhaminë Mbret nxjerrin në pah bukurinë e monumentit

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Xhamia Mbret apo sikurse njihet nga banorët e qytetit Xhamia e Sulltanit, është xhamia kryesore e qytetit të Beratit. Në vazhdimësinë e projektit të emërtuar “Rrugët e Besimit” është ndërhyrë dhe po vazhdojnë aktualisht punimet për restaurimin e këtij objekti me financim nga “Agjencia Turke për Zhvillim”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka sjellë momente nga punimet që po kryhen në këtë objekt për restaurimin e xhamisë.

“Rrugët e besimit na çojnë në Berat, në Xhaminë Mbret, ku falë një pune të gjatë restaurimi dhe mbështetjen financiare dhe profesionale të TIKA, ka dalë në dritë bukuria e këtij monumenti”, shprehet Margariti.

Xhamia Mbret është Monument Kulture i Kategorisë I. Gjurmët e fillimit të ndërtimit të saj datojnë që në fillim të shek. të XV për të vazhduar me plotësimin deri në shek. e XIX.

Në periudhën e mesjetës, Xhamia Mbret së bashku me teqenë tjetër të Helvetive dhe konakët e saj, shënjonin edhe qendrën e qytetit të vjetër të Beratit.

Kohë më parë në këtë objekt është ndërhyrë me teknika jo të përshtatshme për një monument kulture të kategorisë I, ndaj projekti aktual konsiston në çlirimin e muraturës nga ndërhyrjet e papërshtatshme me llaç e çimento dhe realizimi i suvatimit me teknikat tradicionale, konsolidimin strukturor të këtij monumenti, restaurimin e çatisë. Tek tavanet, mafili gjithashtu edhe në të tjera segmente të përbërë nga elementë drusorë, por edhe tek pikturat murale do të bëhet ndërhyrje me teknikat e duhura për të realizuar një konservim sa më të mirë të objektit.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.