111 mijë biznese me rreth 300 mijë të punësuar janë çliruar totalisht nga tatimfitimi

TIRANË, 23 shkurt /ATSH/  Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, zerimi i taksës për biznesin e vogël është një gur i rëndësishëm kilometrik për rrugën drejt të ardhmes.

Në konferencën e përjavshme për shtyp “Ekonomia në fokus” Rama tha se, “zerimi i taksës për biznesin e vogël është një gur i rëndësishëm kilometrik për rrugën tonë drejt të ardhmes dhe përbën një nga pikat më domethënëse në qasje, të ndryshimit të madh në veprim dhe të ndryshimit të madh në rezultat me palën tjetër që sot ripredikon taksën e sheshtë duke kërcënuar faktikisht më të dobtit me rikthimin në kohën kur 100 % e bizneseve paguanin tatimfitimi 10 % dhe TVSH”.

“Ndërkohë që sot 91 % e bizneseve paguajnë 0 tatimfitimi dhe 0 TVSH. Dhe vetëm 9 % të tyre, flas për biznesin e madh, paguajnë 15 % tatimfitimi. Ndërkohë që brenda 91 % janë faktikisht 111 mijë biznese me rreth 300 mijë persona të punësuar që janë çliruar totalisht nga tatimfitimi”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë, tha se, “ky është një hap që e vendos Shqipërinë në një pozicion krejt të posaçëm në raport me biznesin e vogël në krejt rajonin. Nuk po flas për Europën, sepse në Europë dihet që taksat janë të pakrahasueshme me zonën tonë”.

Faktikisht, shtoi Rama “çdo person, çdo subjekt që ka një xhiro vjetore deri në 114 mijë euro është një subjekt pa taksa”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.