SHBA – OBSH kritikon vendet e pasura për minim të sistemit të barabartë të shpërndarjes së vaksinave

NJU JORK, 22 shkurt /ATSH-DPA/- Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë kritikoi vendet me të ardhura të larta për minimin e iniciativës ndërkombëtare Covax në një përpjekje për të siguruar vaksinat Covid-19 për popullatat e tyre.

Duke iu referuar fondeve të premtuara për Mekanizmin Ndërkombëtar të Shpërndarjes së Vaksinave, drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus theksoi se ”edhe nëse keni para, nuk mund t’i përdorni paratë për të blerë vaksina … të kesh para nuk do të thotë asgjë”.

Ai foli pas bisedimeve me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier, vendi i të cilit ka premtuar 1,5 miliardë euro për projektin.

Pa përmendur emra, Tedros theksoi se ‘disa vende të pasura u ishin drejtuar prodhuesve të vaksinave drejtpërdrejt për marrëveshje dhe duke vepruar kështu ulën sasinë në dispozicion të Covax.

“Nëse ky virus nuk mundet kudo, ne nuk mund ta mposhtim atë globalisht. Ai do të ketë diku një strehë të sigurt dhe mund të luftojë përsëri”, shtoi ai. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.