Ruçi: U dyfishua mbështetja buxhetore ndaj institucioneve të pavarura krahasuar me 2018-ën

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi prezantoi sot raportin mbi punën e Kuvendit me institucionet kushtetuese dhe të krijuara me ligj për vitin 2020.

“Arritja më e madhe e Kuvendit gjatë vitit 2020 dhe kësaj legjislature është kontributi për rritjen e autoritetit të institucioneve të pavarura, si mbrojtës të interesit publik. Nëse në vitin 2018, niveli i zbatueshmërisë së rekomandimeve ishte 45 %, në vitin 2019 progresuam në 62 % dhe në vitin 2020 arritëm shkallën e zbatueshmërisë 83 %, pra gati dyfishuar krahasuar me 2018”, tha Ruçi.

Ruçi tha se, “kjo rritje është tregues i rolit të Kuvendit në bashkëpunimin ndërinstitucional Kuvend-Institucione të pavarura – Qeveri dhe rritjen e llogaridhënies nga Qeveria.

Kjo rritje është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes buxhetore për institucionet e pavarura. Në vitin 2021, krahasur me 2018, mbështetja buxhetore u rrit me rreth 50 %”.

Ai u shpreh se, veprimtaria e Kuvendit në mbështetje të institucioneve të pavarura gjatë vitit 2020 konsistoi në mbështetjen e funksionimit të institucioneve, nëpërmjet emërimit të drejtuesve dhe anëtarëve të tyre si edhe ndryshimeve strukturore.

“Kuvendi u angazhua për emërimin e titullarëve/anëtarëve të institucioneve të pavarura duke u siguruar për funksionimin e tyre me kapacitet të plotë. Kuvendi zgjodhi drejtuesit e disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit: Inspektorin e Lartë të Drejtësisë. Miratoi dekretin e Presidentit të Republikës “Për propozimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mundësoi konstituimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, sipas riformatimit që u bë me ndryshimet e Kodit Zgjedhor”, u shpreh Ruçi.

“Kuvendi zgjodhi gjithashtu, Inspektorin e Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Drejtorin e Përgjithshëm Ekzekutiv dhe Nëndrejtorin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Inspektorin e Përgjthshëm dhe një anëtar të Këshillit Mbikqyrës së Bankës së Shqipërisë. Drejtorin e Përgjithshëm të Institutit të Statistikave. Kryetarin e Komisionit të Prokurimit Publik. Tre anëtarë të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar”, theksoi Ruçi.

Ruçi shtoi se, “Kuvendi i Shqipërisë miratoi stukturat e reja ose ndryshimet strukturore për disa institucione, si Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Komisionit të Posaçëm të Apelimit, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionit të Prokurimit Publik”.

“Aspekti i dytë i punës së Kuvendit ishte fuqizimi i kontrollit parlamentar, si  funksion themelor i Kuvendit dhe mekanizëm për rritjen e përgjegjshmërisë e llogaridhënies ndaj publikut të institucioneve të pavarura dhe degës ekzekutive të qeverisjes”, tha Ruçi.

“Për vitin 2020, depozituan raportet e veprimtarisë vjetore 24 institucione të pavarura kushtetuese dhe të krijuara me ligj. 23 titullarë institucionesh raportuan në komisionet e përhershme parlamentare. 23 titullarë institucionesh raportuan në seancë plenare. Kuvendi miratoi 23 rezoluta për veprimtarinë institucionale dhe adresoi rekomandime/detyra për vitin 2021”, tha Ruçi.

“Aspekti i tretë i veprimtarisë sonë në punën me institucionet e pavarura ka qenë ndjekja e statusit të zbatimit të rezolutave të Kuvendit”, tha Ruçi, duke shtuar se, “nga 211 rekomandime të adresuara në rezolutat e Kuvendit për vitin 2020, rezultojnë, të realizuara plotësisht: 109 rekomandime ose 52 %, në proces zbatimi: 91 rekomandime ose 43 %, të realizuara “pjesërisht: 4 rekomandime ose 2 %, të parealizuara: 7 rekomandime (3 %).

“Gjatë vitit 2020 ka funksionuar Platforma Ndërinstitucionale Online, e cila mund të aksesohet në faqen e Kuvendit prej fundit të vitit 2019”, nënvizoi Ruçi.

Ai shtoi se, “vlerësimet maksimale në drejtim të fuqizimit të kontrollit parlamentar janë dhënë në raportin e fundit të GREKO-s, ku vlerësohet puna e bërë për funksionimin e mekanizmit ndërinsitucional si dhe krijimit të Platformës Ndërinstitucionale Online, e cila është kthyer në një element të rëndësishëm të marrëdhënieve mes Kuvendit dhe institucioneve të pavarura në drejtim të kontrollit ndaj ekzekutivit”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.