Rrjeti i koordinatorëve antikorrupsion/ Në fokus, ndjekja e denoncimeve të bëra nga qytetarët

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ Vijojnë takimet për ngritjen e rrjetit të koordinatorëve antikorrupsion. Ndjekja e denoncimeve të qytetarëve për fenomene korruptive në administratë është një nga prioritet e punës së koordinatorëve të Rrjetit Antikorrupsion, të mbikëqyrur nga Ministria e Drejtësisë.

Në këtë kuadër, zv.ministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, ka zhvilluar të hënën në mëngjes një takim me Zamir Dedej, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura

“Një tjetër takim i Ministrisë së Drejtësisë për vënien në funksionalitet të plotë të koordinatorëve të Rrjetit Antikorrupsion”, njoftoi zyra e shtypit e Ministrisë së Drejtësisë.

Zv.ministrja e Drejtësisë Adea Pirdeni së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, ka zhvilluar një takim me Zamir Dedej, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura me qëllim lehtësimin e detyrës së Koordinatorit të Rrjetit Antikorrupsion të Ministrisë së Drejtësisë.

Pjesë e diskutimit ishte mbështetja që duhet t’i jepet koordinatorit nga institucionet pjesë e Rrjetit për të bërë të mundur vazhdimin e shërbimeve me efikasitet si dhe rëndësisë së ndjekjes së denoncimeve të bëra nga qytetarët për goditjen e rasteve korruptive pranë këtyre institucioneve, raste të cilat më pas i përcillen organeve të hetimit të krimit.

“Në këtë takim u diskutua gjithashtu roli i Rrjetit të Koordinatorëve Antikorrupsion dhe rëndësia që ka ky rrjet në luftën kundër korrupsionit”, njoftoi Ministria e Drejtësisë

Vendimi për ngritjen e të koordinatorëve të Rrjetit antikorrupsion u mor nga qeveria në shtator të vitit të shkuar.

Në vendimin e publikuar nga Këshilli i Ministrave bëhet me dije se institucionet kyç të administratës publike do të kenë të atashuar koordinatorët antikorrupsion që do raportojnë rregullisht për raste të dyshuara.

Në nivel rajonal koordinatorët e rrjetit antikorrupsion do të kenë: drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, drejtoritë rajonale të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe drejtoritë rajonale të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit parauniversitar. /j.p/r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.