“Nxitje bizneseve Startup”/ Rama: 5 % tatimfitim për operatorët në fushën e teknologjisë së informacionit

TIRANË, 22 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “qeveria ka krijuar një ekosistem të përshtatshëm për nxitjen e Startup-eve dhe ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm duke nxitur fokusin te inovacioni dhe teknologjia e informacionit”.

Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim online me biznese Startup dhe sipërmarrje të reja përfituese nga skemat mbështetëse për bizneset dhe inovacionin.

Rama tha se zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar rolin e ndërmarrjeve inovative Startup dhe sipërmarrjeve të reja të iniciuara.

Kryeministri theksoi se, “ne jemi përpjekur vijimësisht të krijojmë një ekosistem të përshtatshëm për nxitjen e Startup-eve dhe kemi ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm, por të pamjaftueshëm për të ndihmuar nismat tuaja dhe të të tjerëve si ju, duke nxitur fokusin te inovacioni dhe teknologjia e informacionit”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “prej disa kohësh kemi në fuqi një masë nxitëse prej 5 % mbi tatimfitimin për operatorët në fushën e IT-së dhe nga tjetër besojmë shumë se me zerimin e  tatimit mbi fitimin për bizneset e vogla kemi dhënë një ndihmesë të konsiderueshme për të gjitha bizneset e vogla”.

Ndërkohë, Rama tha se, “për këtë nënsektor kemi krijuar një klimë edhe më të mirë në funksion të nxitjes së sipërmarrjeve të llojit tuaj”.

“Aprovimi i ligjit të ri të pagesave është hap në rrugën e zhvillimeve të reja në këtë treg të teknologjisë, duke mundësuar pagesa të menjëhershme dhe duke krijuar kushte për  përdorimin e sistemit të pagesave nga aktorët të tjerë jo banka. Kjo do ta zgjerojë tregun me aktorë të rinj dhe do të ndikojë edhe në formalizimin e ekonomisë”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se, “nënshkrimi elektronik me mjete sigurie është një tjetër hap që ka ndikuar pozitivisht edhe për dhënien e shërbimeve online”.

“Ne besojmë se kemi bërë një transformim kolosal krahasuar nga ku e nisëm, duke u dhënë mundësi individëve të përfitojnë shërbime pa kosto financiare dhe në kohë, dhe mbi të gjitha, pa korrupsion”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.