Nga “Piramida” në Tiranë, te Korça e Vlora/ Rrjet për krijimin e hapësirave për start up-eve të kodimit

TIRANË, 22 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “deri para disa vitesh, start up-et ishin nisma individuale, pa asnjë rreze drite në sensin e vëmendjes dhe mbështetjes, ndërkohë që sot ne kemi vendosur një fond të veçantë në dispozicion të sipërmarrjeve të kësaj natyre, duke i shtrirë ato nga prodhimi, te shërbimet, industria e lehtë, turizmi si dhe në fusha të ndryshme si modelim, design, artizanat”.

Ai theksoi se “faktikisht në këtë skemë më vjen shumë mirë të them se nga 61 ndërmarrje që janë të vogla dhe të mesme që kanë përfituar dhe që përbën 66 % të aplikuesve, se në total kanë qenë 92 aplikantë, 30 ndërmarrje fituese kanë marrë mbështetje në fushën e auditimit, 28 janë mbështetur për pajisje dhe pjesa tjetër për krjimin e software”.

“Në këtë skemë është përfshirë edhe BE dhe janë deri më sot 150 start up-e të ndihmuara drejtpërdrejtë, plus atyre që folëm. Të gjitha këto shifra vlejnë për të thënë diçka, se këtu ka shumë potencial për të zhvilluar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “jemi në një fazë të çeljes së një embrioni, por jo të zhvillimit të konsoliduar të tij”.

“Pikërisht për këtë arsye ne besojmë shumë se ndërveprimi me ju është themelor. Ju nuk duhet të ndjeheni si aktorë pasivë në këtë proces, por duhet të jeni aktorë aktivë. Nuk duhet thjesht të prisni dhe t’i referoheni përgjigjeve tona, por duhet të nxisni gjetjen e rrugëve për të dhënë përgjigje të reja së bashku. Besoj shumë që ju na keni ndihmuar realisht me punën dhe dëshmitë tuaja të punës që të shohim më lart dhe të kuptojmë më mirë që këtu ka një perspektivë të jashtëzakonshme. Teorikisht këtë e dinë të gjithë, por ka një potencial real për ta zhvilluar këtë sektor në drejtim të asaj perspektive”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “në vizionin e Shqipërisë së vitit 2030, pesha që zë ky aspekt i jetës sonë ekonomike e sociale, që lidhet drejtpërdrejt dhe me punën tuaj, është shumë herë më e madhe se pesha deri tani në raport me aspektet e tjera”.

“Kjo sepse është një aspekt që ndërthuret me gjithë aspektet e tjera në çdo fushë, i fuqizon ato. Ne jemi shumë të inkurajuar nga fakti se kemi hapur një rrugë të re me qendrën TUMO në Tiranë. Jemi në proces për të bërë gati një hapësirë fantastike me standardet më të mira europiane apo bashkëkohore te Piramida për të strehuar jo vetëm TUMO, por shumë iniciativa dhe për ta kthyer Piramidën në qendër të madhe revolucioni”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “në këtë aspekt në Korçë është hapur një program fleksibël për mbështetjen e start up-eve, ashtu si në Shkodër. Korça ka marrë një fond për të mbështetur këtë ekosistem. Biblioteka e re e Korçës po bëhet gati t’i vihet në dispozicion një procesi kursesh të licencuara për kodimin”.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se, “në Vlorë po përgatisim projektin e transformimit të asaj godinës fantazëm që prej 40 vitesh i bën hije Sheshit të Flamurit dhe zemra e kësaj qendre do të ketë hapësira për start up-e kodimi”.

“Duam të krijojmë një rrjet të tërë në të gjitha qendrat e qarqeve të Shqipërisë që të rinjtë të përfshihen drejtpërdrejt në këtë rrjet, të gjejnë strehë për nismat e tyre, por edhe të trajnohen për t’u kthyer në kodues dhe të marrin dije të tjera dhe të dalin në një treg shumë të madh pa lëvizur nga Shqipëria. Në realitet, në Korçë por jo vetëm, ju jeni protagonistë të këtij realiteti, sepse jetoni në këtë realitet që është krijuar edhe me kontributin tuaj, që të rinjtë mund t’i japin vetes punë cilësore me pasion dhe punë që mund të çelin një perspektivë të jashtëzakonshme për t’u paguar si shumëkujt nuk ia pret mendja se mund të arrihet”, tha Rama.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.