Meta: Referendumi i 25 prillit do të përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ “Referendumi i 25 prillit do të përmbysë me votë plebishitare klikën oligarkike, që rrjep dhe mashtron shqiptarët prej kohësh”, deklaroi sot presidenti Ilir Meta.

“Tmerri i tyre është angazhimi publik i Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës dhe votës së lirë. Ndaj me gënjeshtra të orkestruara nga kryeoligarku e të bëra publike në mediat e kapura prej tij, kujtojnë se do të frenojnë Presidentin të bëjë detyrën kushtetuese për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve shqiptarë, që është fuqia dhe e ardhmja e tyre”, u shpreh Meta nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale”, tha Meta.

“Kot lodhen me shpifje, shantazhe, frikësime, gjoba arbitrare, fabrikime sondazhesh të gënjeshtra për të demoralizuar qytetarët të votojnë apo me blerje “opozitarësh”, që kurrë nuk kanë mbrojtur interesin publik e kombëtar por që mendojnë vetëm për “përsheshin” e radhës”, u shpreh Meta.

“Shqiptarët do të votojnë më 25 prill 2021 për lirinë e dinjitetin e tyre, si asnjëherë më parë në këto 30 vite. Më 25 prill 2021, Demokracia do triumfojë mbi oligarkinë dhe qytetaria mbi marrëzinë. Presidenti ka vetëm një votë, si çdo qytetar i këtij vendi dhe do të votojë kundër oligarkisë, që ka nëpërkëmbur Kushtetutën, ligjet dhe të drejtat e njeriut dhe që po mban peng të ardhmen europiane të vendit”, shtoi Meta.

Presidenti tha se disa medie e kanë përcjellë takimin publik të bërë në Selenicë nga Presidenti në datën 18 janar 2021, për çështjen e rrugës, si takim me veteranë për LSI. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.