Konferenca e parë ndërqeveritare/ Xhaçka: Shqipëria ka bërë gjithçka i është kërkuar, radhën e ka BE-ja

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se Shqipëria i ka bërë detyrat e shtëpisë, i ka plotësuar të gjitha kushtet që i ishin vënë dhe sot meriton një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, duke vënë në dukje se është koha që BE të mbajë premtimin që i ka bërë Shqipërisë.

Duke folur në seancën pleanre në Kuvend ku po shqyrtohet raporti për veprimtarinë vjetore të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2020, Xhaçka tha se, “procesi i integrimit pavarësisht vështirësive dhe pengesave ka fituar një momentum, një përshpejtim të ndjeshëm që e ka sjellë Shqipërinë, shumë pranë fillimit të negociatave konkrete të anëtarësimit, kapitull më kapitull”.

Ajo theksoi se, “është bërë një punë vërtet e madhe për të plotësuar të 15 pikat që janë kërkuar nga BE, një punë që ka kërkuar angazhimin dhe përpjekjen e shumë sektorëve të shoqërisë dhe të qeverisjes”.

Xhaçka shtoi se, lajm i mirë është që tashmë këtë nuk e thotë vetëm Shqipëria, por edhe vetë përfaqësuesit e BE dhe të vendeve anëtare”.

Xhaçka tha se, “ajo që më bën optimiste është që gjatë këtij viti nuk do të përsëritet më historia e zvarritjeve, një herë me 5 kushte dhe pastaj me 15, është fakti që mesa duket brenda vetë BE ka një ndërgjegjësim, që refuzimi ose shtyrja për herë të disatë i mbledhjes Ndërqeveritare, në një kohë kur qartazi Shqipëria i ka plotësuar të 15 kushtet do të rrezikonte seriozisht vetë kredibilitetin e BE-së”.

Xhaçka tha se, “çdo vlerësim objektiv, teknik i punës që ka bërë Shqipëria arrin në të njëjtin konkluzion. Shqipëria ka bërë gjithçka i është kërkuar, radhën e ka BE-ja”.

Xhaçka nënvizoi se, “ka dhe një moment të fundit që duhet kapërcyer me sukses në këtë rrugë drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe është zgjedhjet e 25 prillit. Zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të qeta dhe të gjithë pranuara, është çelësi që do të hapë rrugën e integrimit. Dhe kjo është një çështje që këkron angazhimin e të gjithë aktorëve politikë, pasi jemi të gjithë dëshmitarë të sjelljeve shpesh aspak demokratike gjatë viteve të fundit, ku shpesh axhendat e ngushta politike, të nxitura herë nga lufta për pushtet, e herë nga frika nga reforma në drejtësi, janë vënë përpara interesave të vendit”.

Xhaçka u shpreh se, “asnjëherë më parë një mazhorancë nuk ka bërë kaq shumë sa kemi bërë ne për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

“Kodi i ri zgjedhor dhe hapja e listave ishte në vlerësimin e Economist Intelligence Unit, një nga elementët më të rëndësishëm që shpjegojnë pse në indexin e demokracisë Shqipëria nuk klasifikohet më si regjim hibrid, por është ngjitur tani në stadin e një demokracie me të meta”, tha Xhaçka.

“Vetëm pak ditë më parë unë mora një kopje të raportit paraprak të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit dhe ëm vjen mirë që edhe këtu kemi ndoshta raportin më të mirë që është hartuar ndonjëherë nga OSBE/ODIHR-i për këtë fazë zgjedhore në Shqipëri.

Një raport që njeh ndryshimet e mëdha që u bënë me konsensus politik mes palëve duke ndryshuar strukturën e KQZ-së, procedurat e identifikimit të votuesve, duke futur identifikimin elektronik, rregullat e nominimit të kandidatëve, rregullat e rrepta për kontrollin e financave të fushatës, shmangien e abuzimeve me pushtetin për qëllime të zgjedhjeve etj., etj.”, u shpreh Xhaçka.

Janë të gjithë këto elementë, shtoi Xhaçka, “që na bëjnë ta presim me optimizëm mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda Presidencës portugeze”.

Xhaçka theksoi se, “s’mund të mohoj që kam edhe një shqetësim sërish lidhur me zgjedhjet. Një shqetësim, jo, sepse ne s’po bëjmë gjithçka që duhet në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, por sepse dëgjoj herë pas here, qëndrime, deklarata, prononcime nga aktorë politik me peshë, që përfaqësojnë parti dhe institucione, që për hir të pushtetit apo frikës nga reforma në drejtësi, duket se janë gati të përdorin çdo mundësi, pavarësisht kostos dhe pavarëisht interesit kombëtar për të dëmtuar procesin me shpresë që do t’iu japim një argument për ta zvarritur sërish integrimin, atyre që Shqipërinë s’duan ta shohin në BE, por që tanimë e kanë të vështirë ta refuzojnë kur arritjet dhe progresi janë të qarta si drita e diellit”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.