Infrastruktura bashkiake/ Gjylameti: Tregues i vëmendjes për të përmirësuar cilësinë e jetës së të gjithë banorëve


TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Deputetja e Partisë Socialsite, Blerina Gjylameti deklaroi sot se, “në këto 8 vite tonat në krye të punëve, ajo që bëmë, ndër shumë e shumë projekte të rëndësishme ishte dhe Rilindja Urbane”.

“Rilindja e qyteteve, bëri që edhe ato qytete që ishin të degraduara të ktheheshin më pas dhe të rifitonin një impuls zhvillimi. Ishte një shpresë dhe për banorët e këtyre zonave, të cilët mund të gjenin veten e tyre në ato qytete. Janë pafund shkollat, ujësjellësat, kopshtet, rrugët, të cilët kanë bërë të mundur të krijojnë një perspektivë të re edhe për banorët që jetojnë jashtë kryeqytetit”, tha Gjylameti.

Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, ku u shqyrtua projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga ministria e Financave dhe Ekonomisë (Huamarrësi), dhe KFW Frankfurt AM Main (KfW) për programin e infrastrukturës bashkiake V, në shumën 80 000 000 (tetëdhjetë milionë) euro”, Gjylameti tha se, “marrëveshja e sotme është një tjetër tregues i vëmendjes që kjo mazhorancë ka për të përmirësuar cilësinë e jetës të të gjithë banorëve që jetojnë në të gjithë qytetet e tjera”.

Gjylameti u shpreh se marrëveshja që miratohet sot ndërmjet Shqipërisë dhe KfW-së “synon financimin e programit të infrastrukturës bashkiake V, në shumën 80 milionë euro”.

Ajo theksoi se, “qëllimi i këtij programi është pikërisht të kontribuojë në përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve si dhe përmirësimin e performancës së shoqërive të ujësjellës kanalizimeve të bashkive të përfshira në program”.

Gjylameti shtoi se, “përcaktimi i bashkive është bërë sipas prioriteteve të Masterplanit Kombëtar të Ujësjellës Kanalizimeve si dhe nevojës për të përmbyllur investimet e kryera në fazat e mëparshme dhe konkretisht në bashki si Shkodër, Lezhë, Kamzë, Berat, Kuçovë, Elbasan, Fier dhe Vlorë”.

“Bazuar në investimet përmes fondeve të siguruara nga KfW-ja dhe atyre përmes buxhetit të shtetit, Vlora, Shkodra, Elbasani dhe Fieri, do të përfundojnë atë që është projekti për të arritur furnizimin me 24 orë ujë”, tha Gjylameti.

Ndërkohë, theksoi Gjylameti, “në Lezhë prek zonat prioritare të turizmit, konkretisht Shëngjinin, i cili ka një popullsi prej 10 mijë banorësh, e cila gjatë periudhës së verës 5-fishohet”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.