“Hienat nuk do ta çorodisin dot popullin”/ Rama publikon faktet: Spaho gënjen se çifti Dhespollari në Kolonjë jeton në rrënojat e tërmetit


TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ “Hienat nuk do të na ndalin dot dhe as do ta çorodisin dot popullin, Shqipëria ka Zot”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau një informacion se si qëndron e vërteta, pas shfaqjes së radhës me aktorë kryesorë ish-deputetin e Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

Më herët, Spaho i është referuar gjendjes ku jeton çifti Dhespollari, në Qafëzez të Kolonjës, të cilët sipas tij,  vazhdojnë të jetojnë në rrënojat e tërmetit duke rrezikuar jetën.

“Banori që po takon Spaho, quhet Petraq Dhespollari. Ndonëse ai dhe bashkëshortja e tij, shtëpinë që po i tregojnë Spahos, e dëmtuar sot nga tërmeti, nuk e kishin të tyren, por e kishin zaptuar pa të drejtë, pas largimit të pronarit të ligjshëm të saj në emigracion, menjëherë pas tërmetit, për këtë çift është gjetur një alternativë e rë jetese nga autoritetet shtetërore”, thuhet në video.

“Faktet tregojnë se Spaho gënjen kur thotë që çifti vazhdon të jetojë në rrënojat e një tërmeti duke rrezikuar jetën, sepse prej vitit 2019, ata banojnë në një shtëpi të re, qiraja e së cilës u paguhet nga Bashkia Kolonjë”.

Po ashtu, përmes një vendimi të datës 23 shtator 2019, këshilli bashkiak Kolonjë ka miratuar bounsin e qirasë në masën 100 % për disa familje të dëmtuara nga tërmeti në fshatin Qafëzez, mes të cilave edhe ajo e Petraq Dhespollarit.

Më pas është lidhur dhe kontrata e qerasë midis pronarit të shtëpisë së re dhe Dhespollarit në datë 19 dhjetor të vitit 2019 përpara noteres.

“Sikurse tregon edhe kjo faturë e bonusit të qirasë, Dhespollari dhe bashkëshortja e tij kanë vijuar të marrin dhe do të marrin bonusin e qirasë pa afat, deri në sigurimin e një banese të re nga programet sociale të strehimit, pasi ata vetë nuk zotërojnë ligjërisht asnjë banesë”, thuhet në video.

“Por ndërkohë që çifti i të moshuarve ka mundësinë ta kalojë dimrin në një banesë me kushte normale, Partia Demokratike vijon me politikën e vjetër të përdorimit si mish për top, të njerëzve të zakonshëm, me shpresën se vetëm kështu, duke prodhuar dramë e fatkeqësi me çdo kusht, do të mund të rrëmbejë në këto zgjedhje, ndonjë grusht votash”, u shpreh Rama. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.