Denaj: Mbështetje 373 bizneseve inovative, 580 mijë euro grante me 154 përfitues

TIRANË, 22 shkurt/ATSH/ Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha sot, gjatë një bashkëbisedimi online, me përfaqësues të biznesit të startup-ve, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Edi Rama, se mbështetja për bizneset inovative nuk ka munguar.

Sipas saj, vetëm falë projektit “Ideja” janë livruar në formë granti 580 mijë euro për 154 biznese. Sipas saj, falë agjencisë AIDA janë 373 biznese përfituese.

“Nga mbështetja që AIDA ka dhënë, janë 373 biznese përfituese. Dhe  më konkretisht në projektin “IDEJA” janë 154 biznese që kanë përfituar 580 mijë euro grante. Prej dy vitesh,  jemi pjesë e një programi të BE-së, që ka në themel nxitjen e inovacionit. Ky program është i ndarë në dy faza. 6 milionë euro ishte faza e parë dhe 4 milionë euro faza e dytë, pra gati 10 milionë euro për nxitjen e bizneseve inovatore. Thirrja e radhës ka nisur më 5 shkurt dhe i bëj thirrje të gjithë të interesuarve të aplikojnë”, – theksoi ministrja e Financave.

Duke kthyer vëmendjen tek kuadri ligjor për startup-et, ministrja Denaj, u shpreh se “ky projektligj ka në thelb dhe lidhjen e të gjithë punës në nivel lokal, rajonal, kombëtar dhe më pas ndërkombëtar”.

“Projektligji lehtëson shumë inovacionin. Ne kemi bërë lehtësi fiskale në të gjithë sektorët, por ky ligj për startup-et, do jetë përtej afatit të përjashtimit nga tatimfitimi siç parashikon ligji për biznesin e vogël deri në 14 milionë lekë, që u miratua në korrikun e shkuar”, – tha Denaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.