COVID-19/ Brataj: Jo mbyllje totale, shtrëngim masash për disa aktivitete që janë burime të mëdha infeksioni

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ “Kemi një rritje të infektimeve tek moshat e reja, mesatarja e rasteve ditore është 1106 krahasuar me javën e pestë që ishte 1030 dhe numri i të shtruarve është rreth 630 e ca, si në spitalet COVID të Tiranës dhe ato rajonale, dy të parat që janë hapur”.

Kështu deklaroi gjatë një interviste televizive duke folur për situatën e COVID-19 në vend  drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj.

“Çdo rritje e numrave të të infektuarve është një sinjal alarmi. Nuk diskutohet që duhet të jemi të përgatitur për çdolloj skenari dhe skenarët janë thënë gjithmonë dhe janë duke u aktivizuar. Këto dy-tri ditë po analizojmë situatën si Komunitet Teknik, ku do shohim më në detaje gjendjen aktuale, masat dhe gjithë treguesit e tjerë për kontrollin e epidemisë”, u shpreh Brataj.

Mbi ndryshimin e orës policore deri në 20:00 Brataj tha se, “çdo masë ka një efekt pozitiv, nëse do vijonim me orarin e mëparshëm tashmë do kishim vajtur në “zonë të kuqe”. Masat nuk duhet të nënvlerësohen dhe për rezultatin që kanë dhënë. Padyshim ka shumë për të përmirësuar dhe po të respektohen masat antikovid deri në 80 % nuk do ishim në këtë pikë sot”.

I pyetur mbi një mbyllje totale Brataj tha se, “po monitorohet çdo alternativë. Tani u hap skenari i dy spitaleve rajonale që ishin Shkodra dhe Durrësi. Janë skenarët e tjerë me radhë dhe pa mbërritur në këto skenarë nuk mund të kalosh në skenar të parafundit ose të fundit”.

Mbi kapacitet spitalore Brataj theksoi se, “personeli mjekësor është në dispozicion, spitalet janë pajisur të gjithë me bazën materiale dhe me trajnimin e personelit. Problemi që më shqetëson është që sa më shumë zgjat në kohë, aq më i stresuar, aq më i vënë nën presion është dhe vetë personeli shëndetësor. Gjithashtu po ndikohet edhe nga ana politike, duke akuzuar për çdo gjë dhe kjo shton presionin tek personeli shëndetësor”.

“Nuk do flisja për një karantinë, se është e papranueshme në këtë moment, pasi dhe shëndeti i popullsisë dhe ekonomisë janë në një limit të ekuilibrit. Personalisht do isha për një shtrëngim masash, kufizimi i disa aktiviteteve dhe personalisht mendoj që baret dhe restorantet janë një nga burimet më të mëdha të përhapjes së infeksionit dhe po të ishte për mua do duhej një kufizim më i madh për aktivitetin e tyre. Për mbyllje totale nuk do isha”, theksoi Brataj.

Mbi vaksinat ai tha se, “ato që janë kontraktuale në këtë moment janë ‘Pfizer’ dhe COVAX, të dyja së bashku të kontraktuara nga qeveria shqiptare. Janë rreth 80 mijë vaksina, ose rreth 1 milion e 600 mijë për dy dozat, 500 mijë të ‘Pfizer’ dhe 1 milion e 140 mijë ato të COVAX që janë në fazë aktivizimi. Për sa i përket asaj kineze dhe ruse, siç jemi shprehur dhe herë tjetër, Shqipëria ka linjën e Bashkimit Europian”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.