COVID-19 – “Air New Zealand” teston një pasaportë vaksinimi

WELLINGTON, 22 shkurt /ATSH-AFP/ – “Air New Zealand” do të testojë një pasaportë digjitale transporti me qëllim për t’u mundësuar kompanive ajrore dhe autoriteteve kufitare të kenë informacion lidhur me COVID-19, njoftoi sot kompania ajrore.

Ky program, i quajtur “pasaporta e vaksinimit” nga specialistët e sektorit, parashikon të thjeshtojë udhëtimin duke i lejuar pasagjerët të mbajnë të gjitha të dhënat e tyre mjekësore në një medium të vetëm.

“Më së shumti është si të kesh një certifikatë digjitale të shëndetit që mund të ndahet lehtësisht dhe në mënyrë të sigurt me linjat ajrore”, theksoi Jennifer Sepull, drejtoreshë e shërbimeve digjitale në “Air New Zealand”.

Ky sistem do të mbështetet mbi një aplikacion të zhvilluar nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA), që do të testohet nga kompanitë e Gjirit, Emirateve dhe Etihadit.

Në veçanti, kjo do të garantonte vërtetësinë e testit të depistimit ose certifikatës së vaksinimit kundër COVID-19.

“Air New Zealand” ka në plan të fillojë testimin e sistemit të saj të “pasaportës së vaksinimit” në prill./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.