Angazhim i gjithanshëm për sigurimin e vaksinës/ Strategjia e ndjekur si vendet e tjera, prioritet bluzat e bardha dhe të moshuarit 65+ 

TIRANË,  22 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama theksoi nga aeroporti “Nënë Tereza” ku pritet mbërritja e 8190 dozave të vaksinave nga kompania “Pfizer” se, sot është një arsye madhore lufta për të siguruar vaksina për shqiptarët.

“Realisht është një luftë jo me shpata, luftërat me shpata janë për fëmijët e kopshtit, ose për ata të cilët kanë shkëputje të lidhjes me mburojën e trurit. Këtu bëhet fjalë për një luftë e cila është një luftë e madhe tregtare, politike, komunikimi dhe unë dua që çdo natë kur kam mendimin e fundit, mendimi i fundit të jetë që bëra dhe bëmë, gjithçka edhe për sot, që në këtë luftë edhe ne të mos mbetemi mbrapa”, – tha Rama.

“Kjo është lufta për mua sot. Të tjerat janë sigurisht ngjarje rrethanore me personazhe rrethanorë, që nuk e meritojnë shkëputjen e vëmendjes nga kjo luftë kryesore”, – tha ai.

Për sa i përket fashave të vaksinimit, Rama theksoi se, “targeti i parë, siç është e shkruar edhe në strategjinë e vaksinimit, dhe siç ndodh në të gjitha vendet e tjera, sepse ne në fund të fundit nuk kemi shpikur asgjë, por jemi konsultuar me eksperiencat e të gjitha vendeve të tjera, janë bluzat e bardha dhe më të moshuarit 65 plus”.

Por sigurisht vijoi ai, duke filluar nga lart për të shkuar te 65, sepse më të rrezikuarit janë ata që janë në moshë më madhore, dhe sa më e madhe mosha, aq më i madh rreziku dhe kjo është logjika e të gjitha fushatave të vaksinimit në të gjithë botën.

“Dhe nëse i ke të gjitha dozat për ata që janë 65 plus, s’ka problem, shtrihesh me shpejtësi në të gjithë fashën dhe në rastin kur nuk i ke të gjitha dozat, siç është rasti konkretisht, atëherë fillojmë nga lart dhe zbret. Për këtë arsye, e përsëris se edhe vaksinimi që iu bë atyre personave të njohur publikë nuk përfshiu persona po aq të njohur dhe po aq me kontribute nën 80 vjeç”, – tha Rama.

I pyetur për vaksinat antikovid kineze dhe ruse Rama theksoi se, “dua të bëj një sqarim, askush të mos mendojë që vaksina kineze apo ruse është në tezga, që mjafton vetëm të shkosh dhe të paraqitesh dhe të paguash për ti marrë dhe ndonjë shtet që ka lidhur ose ka deklaruar në parim marrëveshje nuk i ka marrë akoma. Kështu që sasitë edhe për këto vaksina janë të kufizuara”.

“Edhe numri i të vaksinuarve në Rusi, nuk është i atillë, që të bën të besosh se sasitë në dispozicion janë të mëdha, pra është çështje prodhimi për të gjithë. Së dyti, mbase është keqkuptuar apo keqinterpretuar në një formë që nuk ka qenë adekuate dhe nuk është adekuate ajo se çfarë unë kam thënë, por duke harruar atë që kam thënë në krye të herës që, ne nuk nuk kemi asnjë arsye në botë dhe nuk kemi asnjë mundësi që të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalizimin e shkencëtarëve kinezë dhe rusë”, tha Rama.

“Pra nga pikëpamja e vlerës të këtyre vaksinave nuk kemi asnjë dyshim dhe kontestim. Por kemi parasysh nga njëra anë që janë vaksina ende të paprovuara në nivelin e OBSH-së. Kjo nuk do të thotë që ne po i rrimë larg ngaqë janë të paaprovuara dhe nga ana tjetër ne nuk mendojmë, që ne duke qenë të linjëzuar krejtësisht me BE, kemi ndonjë precedencë apo ndonjë prioritet në radhën shumë të gjatë edhe për ato vaksina”, – u shpreh Kryeministri.

“Kështu që unë nuk kam ndryshuar mendim dhe arsyeja është në këto që thashë. Nuk është arsye gjeopolitike, por kjo është një luftë politike në vetvete, jo për ne. Në të gjithë planetin bëhet një luftë politike për vaksinën, në arenën globale dhe brendapërbrenda vendeve”, – tha ai.

Rama theksoi se, “është një luftë ekonomike tregtare, sepse nuk ka sasi. Dhe sigurisht është një luftë që varet drejtpërdrejtë nga niveli i marrëdhënieve mes vendeve dhe në raportet personale. Kështu që në të gjithë rastet dua ta bëj shumë të qartë, që nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë. Nuk kemi hedhur dhe nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve, sepse jemi të vetëdijshëm që janë hapa që nuk kanë arsye objektive që të na çojë në rezultat”.

“E kam thënë, – vijoi ai, – kjo është një situatë që sigurisht mund të ishte shumë më ndryshe, nuk jemi ne që kemi vendimmarrje, dhe patjetër që nuk jemi ne që mund ta rregullojmë, sepse jemi shumë të vegjël për të marrë vendime për ta rregulluar në nivelin europian. Mendoj se është një fatalitet politik europian fakti që Maqedonia e Veriut detyrohet të kthejë sytë nga Kina e Rusia në mungesë të dozave për të filluar dhe kështu ndodhë edhe në shumë vende të tjera përfshirë edhe Kosovën”.

“Duke e parë situatën në dinamikë ne kemi bërë të gjitha lëvizjet e mundshme për të siguruar vaksinën. Vaksina kineze është qartësisht e suksesshme, mjafton të shikojmë Turqinë, Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite dhe të gjitha të dhënat e lidhura me efektet e saj janë shumë pozitive. Po kështu fjalët që thuhet për vaksinën ruse janë fjalë që bëjnë vlerësim pozitiv. Ama shikon vendet që janë shprehur se kanë kthyer kokën në atë drejtim, apo nuk kanë bërë kërkesën në atë drejtim dhe nuk rezulton që pjesa më e madhe e tyre të ketë marrë vaksinën akoma. Ne të gjitha këto analiza i bëjmë, ne nuk jemi me idenë që kurrë mos u vaksinofshim po nuk marrim vaksina të tjera përveç ‘Pfizer’-it dhe ‘AstraZeneca’-s apo nuk mund të pranojmë vaksina kineze apo ruse, nuk është e vërtetë. Por një gjë duhet ta dinë të gjithë, që kjo nuk është çështje parash”, – u shpreh Rama.

Çmimet e vaksinave po rriten, sepse kërkesa është shumë e ethshme dhe oferta është shumë e vogël, tha Rama.

“Por sado të rriten çmimet e vaksinave nuk ka asnjë mundësi që ne të lëmë një dozë të vetme në dispozicion, apo sado qofshin ato, dhe të lëmë një shqiptar të vetëm të presë përtej asaj që ne kemi mundësi ta bëjmë, sepse çmimi është rritur. E them këtë, për t’ju përgjigjur të gjithëve që komentojnë se kjo është çështje buxheti, fuqie ekonomike. Jo jo nuk ka një treg diku, që mund të shkosh dhe t’i blesh, nuk ka dyer të hapura që janë përpara nesh dhe ne nuk po kapërcejmë pragun. Për të hapur dyert për të marrë vaksinën duhet një angazhim i gjithanshëm dhe këmbëngulje e madhe”- tha Rama.

“Unë kam menduar që gjëja më e vështirë që mund të më ndodhte mua në këtë pozicion ishte të gjeja fondet për të mbështetur rindërtimin, në krahasim me përpjekjet për të gjetur të gjitha vaksinat e nevojshme, ajo tani mua më duket sikur ka qenë një proces krejt normal. Do të isha gati të kthehesha dhe njëherë atje, tre herë dhe të mos kisha këtë barrë së bashku me kolegët sepse është realisht një çmenduri”- theksoi ai.

“Pra vijoi Kryeministri, nuk është çështja për të gjetur fonde, apo për të gjetur një gjë, që të tjerët e kanë, por është çështja për të gjetur diçka që nuk e ka askush dhe këtu ajo shprehja e vjetër që ne qeshnim kur ishim më të ri “që njeriu bëhet ujk për njeriun”, është e përditshmja e luftës për vaksinat, shteti ujk për shtetin, njeriu për njeriun. Jemi përpara faktit që nevoja është shumë e madhe dhe sasia shumë e vogël”.

 

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.