Vaksinimi i personaliteteve mbi 80 vjeç/ Braçe: Faleminderit për artin, punën, vlerat, dinjitetin tuaj, neveri për ata që e cilësuan genocid

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/- “Neveri për ata që konsiderojnë vaksinimin e personaliteteve të kategorisë mbi 80 vjeç si genocid”.

Kështu është shprehur këtë të dielë zv.Kryeministri Erion Braçe, pas nisjes së vaksinimit antikovid në fashën e të moshuarve mbi 80 vjeç, mes të cilëve dhe figura të njohura. Ai publikoi foto nga procesi i vaksinimit në Arena Kombëtare ku mes 80 të moshuarve janë edhe 20 personalitete, duke nisur nga Margarita Xhepa, Tinka Kurti, apo ish-presidenit Alfred Moisiu.

“Jetë të gjatë dhe, faleminderit për artin, punën, vlerat, dinjitetin tuaj!”,- është urimi dhe falenderimi i zv.kryeministrit Erion Braçe për personalitetet mbi 80 vjeç.

Më tej, ai shprehet se ndjen neveri për ata që e cilësuan këtë veprim genocid.

“Në anën tjetër ia vlen të kujtoj se, sot është dita për të bërë bilancin: ne fillim na thanë se nuk ka Covid, është konspiracion për të ndalur protestat, pastaj se po mbyllni vendin për të mbyllur në shtëpi kundërshtarët, më tej se nuk keni spitale, nuk keni respiratorë, nuk keni veshje, më tej akoma se vaksina është një konspiracion me çipa, pastaj se nuk po gjeni vaksinën, nuk po sillni vaksinën, po e sillni kontrabandë, tani në fund por jo për fund se pse po vaksinoni personalitete mbi 80 vjeç, është genocid, kur në fakt ata janë të parët e vaksinimit të mbi 80 vjeçarëve! Neveri për ta! Ndërkohë edhe një herë shumë faleminderit gjithkujt që u vaksinua sot edhe si kontribut për të bindur gjithçka se vaksinimi është jetik!”,- përfundoi zv.kryeministri Erion Braçe.

Pas vaksinimit të mjekëve dhe infermierëve, si dhe të moshuarve në Shtëpitë e të Moshuarve ka nisur sot dhe vaksinimi i moshuarve plus 80 vjeç si dhe personaliteteteve të kësaj kategorie. Në total u vaksinuan 80 persona mbi 80 vjeç, mes tyre pak më shumë se 20 personalitete. Që nga fillimi i vaksinimit e deri dje janë kryer 4 969 vaksina antikovid. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.