Vaksinimi i personaliteteve +80 vjeç/ Rama: Mundësi si një mesazh solidariteti, u lehtësojnë barrën psikologjike atyre që dyshojnë tek vaksina

 

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot “stuhi në gotë”, debatin për vaksinimin antikovid të personaliteteve mbi 80 vjeç.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Elbasanit, mëngjesin e së dielës, kryeministri Rama ka theksuar se numri i tyre është shumë i vogël, një pikë ujë në oqean, dhe se vaksinimi duke respektuar kriterin e të qenit mbi 80 vjeç, është një mënyrë për të dhënë një shembull për besueshmërinë e vaksinave.

“Flas për personalitete mbi 80 vjeç. Nuk bëhet fjalë për personalitete jashtë kësaj kategorie. Flas për të nisur vaksinimin e kësaj kategorie, duke iu dhënë mundësinë si një mesazh solidariteti, përkujdesjeje për ta”,- theksoi Rama.

“Nga ana tjetër, dhe për të shfrytëzuar pozitivisht imazhin dhe influencën e tyre tek njerëzit, në kushtet kur vaksinimi është një fushatë kudo. Vaksinimi ka dhe një aspekt tjetër, që është sensibilizimi dhe lehtësimi i barrës psikologjike të atyre që dyshojnë tek vaksina, apo mendojnë se vaksina është e dëmshme dhe produkt i një konspiracioni botëror për të eliminuar njerëzit dhe marrëzira të tjera si këto”,- sqaroi Rama.

“Faktikisht ne nisim vaksinimin me 80-vjeçarët, ku personalitet nuk janë as të parët, por janë të parët në një ditë të parë ku do vaksinohen dhe njerëz të tjerë të zakonshëm. Është bërë një reagim shumë i padenjë, shumë mizerabël do të thosha, lidhur me njerëz që kanë mundësi të komunikojnë me publikun dhe që e shfrytëzojnë këtë rast për të shfryer mllefin e tyre ndaj meje apo qeverisë. Edhe sikur të bëhej fjalë për disa njerëz që mund të ishin 79 apo 78 vjeç, që i kanë dhënë kësaj shoqërie, që kanë kontribuar për t’i dhënë vlera kësaj shoqërie, nuk duhej ngritur gjithë kjo stuhi në gotë, ku bëhet fjalë për disa dhjetra persona, që në totalin e vaksinave janë një pikë uji në oqean”,- tha Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.