”Scientific Amerikan”: Hulumtime të tjera shkencore për Covid-19, pavarësisht vaksinës

UASHINGTON, 21 shkurt /ATSH/ – Vëmendja e botës është përqendruar me të drejtë në lajmet për vaksinat antiCOVID-19, por nuk duhet bërë gabimi i madh duke injoruar nevojën për hulumtime dhe trajtime të tjera përkrah vaksinave, prandaj është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë me to për të kufizuar dhe shëruar COVID-19, shkruan Kevin J. Tracey, mjek dhe drejtor ekzekutiv i Instituteve për Kërkime Mjekësore ”Feinstein”, në një artikull të botuar në revistën më të njohur mjekësore amerikane ”Scientific Amerikan”.

”Vaksinat mund të mos i arrijnë të gjithë për shumë vite, ato nuk do t’i mbrojnë të gjithë dhe ndërsa rritja e infektimeve kërcënon të mbingarkojë spitalet dhe azilet e të moshuarve, nevojiten mjete të menjëhershme”, paralajmëroi ai.

”Deri më sot, Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka miratuar plotësisht vetëm një trajtim, remdesivirin intravenoz, për pacientët e shtruar në spital, si edhe terapi të tjera intravenoze, por ndërsa këto trajtime mund të jenë të dobishme, kërkesa e tyre për administrim intravenoz pengon rëndë përdorimin e tyre të gjerë”, shtoi Tracey.

Për të përshpejtuar zbulimin e trajtimeve thelbësore të reja, qeveritë duhet të angazhohen për të mbështetur dhe koordinuar kërkimin.

Mbikëqyrja e qeverive është e nevojshme për të vlerësuar siç duhet rreziqet dhe përfitimet e trajtimeve aktuale individualisht dhe në kombinim, sepse shpesh këto trajtime përdoren së bashku.

”Padyshim, është një përparësi kombëtare të vaksinohet popullata, por jo në kurriz të injorimit të pacientëve të cilët do të vazhdojnë të sëmuren dhe kanë nevojë për trajtime të reja shpëtuese”, përfundon Tracey, duke theksuar se duhet të rritet ndjeshëm mbështetja për kërkimin dhe për koordinimin kombëtar të përpjekjeve të gjykimit klinik./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.