Mbështetja për Bujqësinë/ Sot Shqipëria punon dyfishin e tokës që punonte para 7 vitesh

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se, sot Shqipëria punon dyshifin e tokës që punonte  para 7 vitesh dhe është rritur vlera e prodhimit vendas dhe eksporteve bujqësore.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarë të Elbasanit, Rama tha se “në sektorin e bujqësisë si në çdo sektor tjetër meritojmë kritika, por edhe disa fjalë të mra nuk janë pa vend, pasi në bujqësi ka pasur një hop të rëndësishëm gjithmonë krahasur me nga jemi nisur dhe jo me ku duam të mbërrijmë”.

Bujqësia është në një proces progresi, vuri në dukje Rama ndërsa tha se “dua ta përsëris pa u lodhur një shfër, që është mjaft domethënëse për ata që nuk e njohin sektorin apo për ata që mendojnë se bujqësia ka marrë fund, me perceptime të krijuara nga kontakti me fshatin përmes portaleve apo të ushqyera nga mllefi politik”.

“Sot Shqipëria punon dyfishin e tokës që punonte para 7 vitesh dhe kjo është domethënëse. Para 7 vitesh punohej rreth 125 mijë ha tokë, sot punohet rreth 230-240 mijë ha”- tha Rama.

“Jemi në kushtet e një përmbysjeje në këtë aspekt që ka ardhur falë punës që ka bërë qeveria për të çuar ujë në parcelat bujqësore, që ishin aty djerrë prej shumë vitesh. Jo sepse njerëzit nuk donin por sepse e kishin të pamundur sepse sistemet e ujitjes ishin jashtë përdorimit si pasojë e mosmirëmbajtjes për vite të tëra dhe si pasojë e bllokimit të kanaleve ujtëse që sjellin pastaj pasoja katastrofike si dhe përmbytjet”, theksoi ai.

“Kjo është dhe një shifër që duhet t’ju thotë diçka atyre që detyrohen të dëgjojnë disa, që sot pretendojnë se do ndalojnë trenin e largimeve nga vendi të njerëzve dhe do t’i kthejnë të gjithë shqiptarët menjëherë në vend me recetat çudibërëse, sepse ishin atat që i lanë djerrë tokat e Shqipërisë duke mos i dhënë asnjë ndihmë, njerëzve atje, qoftë edhe për t’iu çuar ujin”- u shpreh kryeministri.

Rama tha se “ky është vetëm një shembull dhe ka shembuj plot nga sektori”.

“Ne sot nuk jemi siç ishim disa vite më pare, vendi i fundit në rajon për thithjen e fondeve nga BE për bujqësinë. Por sot jemi vendi i parë në rajon, sepse kemi transformer qasjen e AZHBR për të adresur këtë burim të rëndësishëm financimi dhe kemi transformer marrëdhënien me sipërmarrjen në fshat duke krijar sinergji që kanë sjellë projekte të besueshme për t’u financuar”- tha Rama.

Kryeministri vuri në dukje se, rruga e bujqësisë është një rrugë e vështirë. “Por tashmë është një rrugë e hapur dhe masa e fundit për naftën pa asnjë taksë për fermerët do të ndihmojë për uljen e kostove dhe rritjen e kapaciteteve, për të rritur prodhimin”- tha ai.

Kryeministri tha se, gjithashtu është përmbysur edhe raporti i eksport-importeve bujqësore.

“Ne para dise vitesh kishin një raport 1 me 7 të eksport /import,  ndërsa sot jemi në shifrën 1 me 3 që do të thotë se është përgjysmuar vlera e importeve sepse është rritur prodhimi vendas e eksportet bujqësore”, – tha Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.