Forcat e Armatosura pastrojnë nga lëndët kimike depot e ish-Trikotazhit në Korçë

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Pas zjarrit të rënë pasditen e së shtunës në ish-depot e Trikotazhit në Korçë, u kërkua ndërhyrja e Forcave të Armatosura për shkak të djegies së lëndëve kimike dhe ndotjes së zonës përreth.

Një grup nga kompania e Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë të Forcës Tokësore shkoi në vendngjarje ku bëri matjet me aparatura të posaçme të zbulimit kimik, duke evidentuar 2 vatra të ndryshme brenda godinës, të cilat kishin shkaktuar reaksionin kimik.

Pasi analizuan të gjithë faktorët, specialistët e kompanisë së Mbrojtjes nga Armët e Dëmtimit në Masë i neutralizuan të dyja vatrat që shkaktonin ndotjen.

Pas neutralizimit të vatrave, specialistët monitoruan vatrat për rreth 2 orë në pritje se mos riaktivizoheshin sërish, gjë e cila nuk ndodhi.

Pasditen e së shtunës një zjarr përfshiu fabrikën e ish-Trikotazhit në qytetin e Korçës. Lëndët kimike që u dogjën bënë reaksion duke lëshuar në ajër gazra toksikë, shumë të dëmshëm për jetën e qytetarëve. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.