Berat/ 112 gra nga strukturat e LSI-së, i bashkohen PS-së, Naço: Sot është fillimi

 

TIRANË, 21 shkurt /ATSH/ 112 gra nga strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI)  të Beratit, janë larguar nga LSI sot për t’iu bashkuar Partisë Socialiste.

Kryetarja e Gruas së Rajonit nr.2 të LSI-së, Berat, Entela Vreko  duke folur në emër të grave të larguara sot nga LSI, deklaroi se, “jemi 112 anëtare të LSI-së që kemi vendosur të largohemi nga LSO dhe t’i bashkohemi PS-së”.

“Jam e keqardhur që LSI është kthyer në një parti klanore dhe farefisnore. Pakënaqësitë tona kanë filluar që në vitin 2015 me eksperimentin që lidershipi i LSI-së ka bërë kryesisht me bashkinë e Beratit. Modeli që LSI solli në bashkinë e Beratit ishte një model qeverisje i dështuar që në nisje,si pasojë e vendosjes së një kryetari (kushëri) hajdut, imoral, tinëzar dhe shpirtëzi. Ky ishte modeli i korrupsionit, nepotizmit, ryshfetit dhe pabesisë që vuajtën jo vetëm anëtarët e LSI-së por gjithë qytetarët e Beratit”- tha ajo.

“Tendera korruptivë dhe pa cilësi, punësime nepotike dhe me pagesë si dhe imoralitet pa fund. Sot LSI këtë model na e risjellë si qelibar kandidat për deputet. Si mund të jemi ne më pjesë e kësaj partie dhe të votojmë këto modele që na imponohen nga larte? Si mund t’ja bëjmë ne këtë qytetarëve të Beratit dhe fëmijeve tanë? Ne nuk ja lejojmë më vetes të përdoremi dhe ripërdoremi për interestat e ngushta familjare të askujt. Na ngelet vetëm një gjë për të bërë,të ikim për të mos turpëruar veten tonë”, u shpreh Vreko.

Ndërsa ish.ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, ish-deputet i LSI-së i zonës së Beratit, që tashmë i është bashkuar forcës politike të PS-së, u shpreh se, “Nuk dua të merrem me të kaluarën, dua të merrem me të tashmen dhe me të ardhmen e Shqipërisë. Vetëm sot është fillimi dhe janë 112 gra që përfaqësojnë strukturat e gruas së LSI në bashkinë e Beratit, të cilat në mënyrë vullnetare, të pastra jo “llumi”, mbështesin Partinë Socialiste për mandatin e tretë për një Shqipëri Europiane”. /j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.