Autonomia e spitaleve nis nga spitali i ri i Fierit/ Rama: Brenda mandatit të tretë shtrihet në gjithë sistemin spitalor

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, theksoi sot se në mandatin e tretë do punohet për të shtrirë në të gjithë vendin sistemin e autonomisë së spitaleve.

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Elbasanit mëngjesin e të dielës, u shpreh se ky model i marrë nga Turqia, do të nisë si projekt pilot në spitalin e ri të Fierit, ku do jenë të punësuar 320 mjekë e infermierë shqiptarë, si dhe 50 nga Turqia.

“Autonomia në spitale dhe vlerësimi i mjekëve në bazë të punës që bëjnë, nuk është shpikje e jona. Është një model i mirënjohur në mbarë botën, që bazohet tek autonomia spitalore, tek kthimi i spitaleve faktikisht në ndërmarrje të cilat funksionojnë mbi bazën e performancës dhe kalojnë nga struktura pasive, që bazohen tek një hierarki e parashkruar nga autoritetet shëndetësore dhe tek një nivel pagash, i parashtruar dhe i formëzuar, në një tjetër stad, që nga organika, deri tek shpërblimi, që organizohen në bazë të një parimi themelor, eficienca dhe cilësia e shërbimit”,- tha Rama.

“Ne kemi folur për autonominë spitalore që në krye të herës, pjesë e reformës në shëndetësi. Por, kjo është e pakonceptueshme kur nuk ke spitale, por  ke struktura të degraduara siç ishte spitali i Elbasanit deri para shtatë vitesh, kur s’ke depo barnash e kur s’ke asgjë, por ke vetëm një trup mjekësor që punon në kushte të papranueshme për dekada”,- tha Rama.

“Gjithë performanca e spitalit lidhet me sakrificën, me përpjekjet me vullnetin e mjekëve dhe infermierëve. Që të bësh autonominë spitalore duhet të kalosh këtë fazë që jemi në pikën ku mund ta konsiderojmë thuajse të kaluar pjesën e investimeve infrastrukturore. Rindërtimi i infrastrukturës, riorganizimi i brendshëm për të garantuar furnizimin e spitaleve normalisht, krijimi i një klime pune normale dhe sigurisht pajisja e gjithë sistemit me logjistikën bazë”,- tha Rama.

“Tani është momenti që duhet filluar me autonominë spitalore. Zgjedhja që kemi bërë, për të mos bërë hapa të gabuar, që mund të na kushtojnë në kohë, është që spitalin rajonal të Fierit, ta transformojmë në një qendër dijeje e pilot të autonomisë spitalore, duke iu referuar një prej modeleve dhe vendeve që kanë shkëlqyer në shëndetësi në dekadën e fundit, duke kaluar në këto faza por jo në shekullin e shkuar, por në këtë shekull. Autonominë spitalore e kanë shumë vende, por janë vende me traditë të gjatë, kanë strukturë të ndryshme nga pikëpamja social-ekonomike, janë vende që ne nuk mund të krahasohemi me to e të riskojmë të tentojmë modelet e tyre në mënyrë mekanike”, tha Rama.

Turqia është një vend që deri para 10-15 vitesh e ka patur sisemin shëndetësor në një gjendje realisht të keqe dhe ka patur problematika shumë të ngjashme me ato të sistemit tonë deri përpara 7 e kusur vitesh. Ne kemi avancuar në dy të parat, në rindërtimin e spitaleve, organizimin e të gjitha linjave të furnizimit të tyre, krijimit të një sistemi pune, por tani duhet të hedhim këtë hap”,- tha Kryeministri.

“Autonomia do vihet në jetë në spitalin e ri të Frerit”,- shtoi Rama. “Do shihet me kujdes ecuria, do të nxirren mësimet nga praktikat e punës aty dhe më pas do shtrihet në spitalet e tjera. Principi është shumë i thjeshtë, nuk mund të paguhen njësoj dy mjekë që punojnë në një spital, ku njëri bën më shumë orë pune, vizita, operacione dhe tjetri bën më pak. Pastaj si organizohet e gjithë kjo, është temë më vete”, u shpreh ai.

“Spitali i ri rajonal i Fierit do ketë një personel të përzjer për këtë qëllim. Do të vijnë nga Turqia 50 persona, që nga menaxheri, shefat e pavioneve, specialist…etj dhe do të ketë dhe 320 personel shqiptar, që do të përzgjidhen nga stafi turk në bazë të atyre që janë sot në sistem apo dhe që janë sot në pritje përmes portaleve dhe do të ketë një periudhë kohe tranziconi në 1-3 vjet ku menaxhimi do të përgatitet në proces, duke qenë pranë turqve dhe duke marrë dijen e funksionimit të procesit. Në katër vitet e mandatit të tretë kemi gjithë kohën e duhur për ta kaluar sistemin shëndetësor në një sistem autonomie spitalore, duke i dhënë mjekëve mundësinë që të kryejnë punë përtej orarit në strukturat spitalore përtej orarit që shpërblehen përtej rrogës”,- tha Rama. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.