Manastirliu: Vaksinim me ritme të shpejta të moshuarit në shtëpitë e përkujdesit anekënd vendit

TIRANË, 20 shkurt/ATSH/ Procesi i vaksinimit ka vijuar në 4 qendrat e vaksinimit në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Fier. Vetëm gjatë ditës së djeshme janë kryer 1128 vaksinime antikovid për personelin shëndetësor dhe në shtëpitë e të moshuarve.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehet se krahas vaksinimit të stafit shëndetësor, ky proces po vijon me ritme të shpejta të moshuarit në shtëpitë e përkujdesit.

“Gjysh Kujtimi dhe të gjithë gjyshet e gjyshërit në Shtëpinë e të Moshuarve në Fier janë sot më të mbrojtur nga COVID-19, pas marrjes së dozës së parë të vaksinës antikovid. Teksa vazhdojmë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve, po vaksinojmë me ritme të shpejta të moshuarit në shtëpitë e përkujdesit anë e kënd vendit si edhe personelit që shërben për ta”, shprehet ministrja.

Që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 4177 vaksina antikovid.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.