Kosovë/ 11,800 zarfe me fletëvotimi nga diaspora janë aprovuar, 4,950 janë refuzuar

PRISHTINË, 20 shkurt /ATSH/ Deri më tani nga rreth 16 800 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar rreth 11 800 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 4 950 zarfe me fletëvotime.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se kanë shënuar progres sa i përket përmbylljes së aktiviteteve të parapara, të cilat duhet të zhvillohen.

“Nga 2,382 vendvotime janë procesuar në sistem të dhënat nga formularët e subjekteve politike për 2,247 vendvotime (94.33%) dhe të dhënat për formularët e kandidatëve për 1 814 vendvotime (76.15%)”, ka theksuar Elezi.

Sipas tij, deri më tani është skanuar lista përfundimtare e votuesve nga 2,292 vendvotime (96.22%).

Ai theksoi se janë duke vijuar me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre.

“Deri më tani nga rreth 16,800 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar rreth 11,800 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzur rreth 4,950 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme dhe tashmë i kemi bërë të ditura edhe dje. Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo të vlefshme”, ka shtuar ai.

Veç tjerash, Elezi ka bërë të ditur se nuk ka afat ligjor për publikimin e rezultateve përfundimtare, ku ka treguar se sa ka zgjatur ky proces zgjedhjeve të kaluara.

“Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 2014 dhe 2017, kanë marrë pothuajse të njëjtën kohë për t’u përmbyllur. Nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të rezultateve KQZ-së i janë dashur 27 ditë më 2014 dhe 28 ditë më 2017. Numri i vendvotimeve të rinumëruara ka qenë 21% – 22% e vendvotimeve. Ndërsa, zgjedhjet e vitit 2019, nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim janë përmbyllur brenda 53 ditëve. Më 2019 procesi ka zgjatur më shumë për shkak të numrit të madh të vendvotimeve të rinumëruara, rreth 90% e tyre apo 2,254 nga 2,547 vendvotime”, ka theksuar ai.

Disa nga aktivitetet që po zhvillohen në QNR janë: procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike; skanimi i listës përfundimtare të votuesve; dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.