Agjencia Telegrafike Shqiptare

COVID-19 – Doza e parë e vaksinës Pfizer-BionTech 75% efektive

KUDS, 20 shkurt /ATSH-AA/ – Një studim në Izrael ka zbuluar se doza e parë e vaksinës së zhvilluar bashkërisht nga kompania Pfizer dhe BionTech është 75% efektive kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Revista mjekësore “The Lancet” publikoi rezultatet e studimit të kryer nga Sheba Health Center në Izrael mbi vaksinën Pfizer-BionTech.

Sipas studimit, shkalla e infeksionit u ul me 75% dhe shkalla e simptomave u ul me 85% midis 2 dhe 4 javëve pas vaksinimit në më shumë se shtatë mijë punonjës të kujdesit shëndetësor në Izrael, ku doza e parë e vaksinës u aplikua në janar.

Mjeku Arnon Afek nga Qendra Shëndetësore Sheba deklaroi se studimi i tyre mbështet vendimin e qeverisë britanike për të filluar dhënien e një doze të vetme të vaksinës për qytetarët e saj.

Ekspertët thonë se ky studim mbështet pikëpamjen se doza e dytë mund të aplikohet më gjatë se 3 javë, pasi doza e parë e vaksinës Pfizer-BionTech siguron mbrojtje të lartë.

Ndërkaq, theksohet se numri i personave që kanë marrë dozën e parë të vaksinës mund të rritet në një kohë të shkurtër./ /ec/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version