Certifikimi i tokave bujqësore do të vijojë deri në fund/ Mandati i tretë për të çuar para mbështetjen për bujqësinë

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se certifikimi i tokave bujqësore do të vijojë deri në fund ndërkohë që theksoi se e gjithë harta e investimeve në mbështetje të bujqësisë është në proces.

Në një bashkëbisedim me qytetarët e Fierit, Rama iu përgjigj shqetësimit të një banori mbi problemin shqetësues prej 30 vitesh tashmë të certifikimit të tokave bujqësore.

“Kjo u bë shumë, por më besoni që lëmshi që kemi trashëguar ishte kaq i tmerrshëm saqë realisht shkokolepsja e gjithë atij lëmshi është një proces marramendës. Megjithatë certifikimi ka vazhduar jo me ritmet që kam pasur dëshirë dhe do të vazhdoj deri në fund.”, tha ai.

Ndërkohë kryeministri vlerësoi se “fatmirësisht me Kadastrën kemi kaluar në një fazë tjetër”. “Kemi një pjesë të madhe të tokave që janë të qarta, jo të gjitha, për shkak të mbivendosjeve dhe vendimeve të gjykatave që dalin si nga dheu. Sa mendon se kjo zonë u sqarua del një vendim gjykate i 1995, është një luftë permanente”, tha Rama.

Lidhur me subvencion në bujqësi, Rama tha se se “është fakt se ne jemi vendi i parë në rajon për thithjen e fondeve nga BE”.

“Puna e AZHBR-së është ngritur në një nivel krejt tjetër, po ashtu edhe projektet janë financuar shumë. Për pjesën e fondeve europiane, dokumentacioni është i pashmangshëm sepse kërkohet prej tyre dhe projektet duhet të jenë shumë të plotësuara. Për skemat tona mbështetëse kërkohen zero dokumente”, tha Rama.

Ndërkohë, Kryeministri siguroi se “me mandatin tonë të tretë do të vazhdojë mbështetja dhe investimet në bujqësi”.

“Ky është projekti ynë, kjo është e beteja jonë, përndryshe nuk vazhdon, është e sigurt. Sfida është që të çojmë ujin në çdo parcelë. Kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës së punuar pikërisht se kemi çuar ujin. Nëse ka njerëz që kthehen sot në fshat nga jashtë vjen si rezultat i mundësive së reja që janë krijuar dhe mbi të gjitha i mundësisë për ta punuar tokën. E dimë që ka akoma pjesë për t’u investuar dhe do të vazhdojmë. E dimë shumë mirë se cila është pjesa ku nevojitet ndërhyrje. Planet janë gati dhe e gjithë harta e investimeve është në proces”, tha ai.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.