SHBA – Moti i ftohtë vazhdon të shkaktojë probleme me ndërprerje të energjisë dhe ujit

NJU JORK, 19 shkurt /ATSH-AFP/ – I ftohti dhe dëbora vazhdojnë të shkaktojnë probleme në jug dhe në pjesën qendrore të SHBA-së, me ndërprerje masive të energjisë dhe një bilanc të konsiderueshëm në viktima, ndërkohë që një stuhi ka goditur pjesën verilindore të vendit.

Problemet që kishin shkaktuar reshjet masive të dëborës në jug kanë filluar të zhvendosen drejt bregut lindor, ku reshjet e dëborës përfshinë vendin nga Karolina e Veriut deri në Nju England (verilindje).

Në Nju Jork, një shtresë e re dëbore iu shtua gradualisht mbetjeve të stuhisë e cila tashmë kishte depozituar më shumë se 40 centimetra dëborë në fillim të shkurtit. Rreth 10 centimetra dëborë ranë në Central Park në orët e pasdites. Rreth 200 fluturime janë anuluar në Nju Jork.

“Që nga dhjetori, nuk mendoj se kemi parë një javë pa dëborë. Është çmenduri”, theksoi Kara Dickson, një studente në Universitetin NYU.

Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik (NWS), një akumulim i akullit në Karolinën e Veriut dhe Virxhinia (në lindje) ka mundësi të shkaktojë ndërprerje të shumta të energjisë dhe rrëzim të pemëve në orët në vijim.

Në Teksas, më shumë se 250 000 familje vazhdojnë të jenë të privuar nga energjia, ndërkohë që autoritetet po bëjnë përpjekje për ta rikthyer, sipas faqes Poweroutages.com, dhe më shumë se 240 000 në Luisiane dhe në Mississippi (jug).

Banorët e Teksasit duhet të pëballen gjithashtu me prishjen e kanalizimeve për shkak të ngricave.

“Ishte si një ujëvarë dhe vinte nga banjo dhe më pas shkonte në dhomat e tjera”, theksoi Birgit Kamps nga Hjustoni.

Për shkak të këtyre problemeve të të ushqyerit, rreth shtatë milion qytetarë të Teksasit janë këshilluar ta ziejnë ujin përpara se ta konsumojnë ose madje ta përdorin atë për gatim. Dhe rreth 264 000 persona janë prekur nga ndërprerjet në furnizimin me ujë të pijshëm./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.