Rilindja Urbane, instrument për zhvillim ekonomik/ Rama: Mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur me pasuritë e vlonjatëve

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ “Rilindja Urbane nuk është fasadë, por në fakt është një instrument ekonomik”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, ndërsa theksoi se, “Vlora është krijuar për të qenë një motor me shumë kuaj fuqi zhvillimi ekonomik dhe vënia në kushtet, ku këto potenciale të çlirohen, është puna jonë”.

Në një intervistë për ERTV-në nga Lungomare 2, Kryeministri u shpreh se, “ky është vazhdimi i një ngjitjeje. Mjafton të shikosh këtu çfarë bëhet anash me hotelin ri që po bëhet gati, me gjithë këto karabinatë që kishin vite e vite që si afrohej njeri dhe tani ka vajtur metri katror 1800 euro dhe po ribëhen, me dy strukturat e tjera që po ribëhen komplet. Pra është një fuqizim ekonomik i vazhdueshëm”.

“Shumëkush priret të thotë se Rilindja Urbane është fasadë, por në fakt jo. Rilindja Urbane është një instrument ekonomik, është bukuria në funksion të ekonomisë, hapësira publike e riformatuar dhe ripërtërirë në funksion të ekonomisë. Mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur me pasuritë e vlonjatëve në gjithë këto pjesë që janë shumëfishuar në vlerë, mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur me trefishimin e strukturave mikpritëse akomoduese hoteliere”, tha ai.

Rama tha se “mjafton të shohim se çfarë ka ndodhur me biznesin, me të ardhurat që marrin ata të cilët kanë sipërmarrjet e tyre përgjatë gjithë këtyre zhvillimeve dhe me të ardhurat që i vijnë bashkisë nga taksat. Kështu që është diçka e mirënjohur dhe nuk ka asnjë vezë Kolombi këtu, por për t’i theksuar për ata që priren t’i shohin këto si zbukurime, këto janë ekonomi”.

I pyetur se përse vlonjatët duhet t’i japin PS-së një mandat të tretë, Rama tha se “kjo që po shohim këtu ka nisur dhe do të vazhdojë deri në Orikum. Këtu do të kemi vijën më të gjatë shëtitëse në këmbë të të gjithë këtij pellgu të Mesdheut të kësaj ane. Nuk di andej çfarë bëhet, por këtu në këtë zonë nuk ka një vijë të gjatë shëtitëse si kjo. Dhe rivlerësimi i pronave dhe rritja e vlerës së tyre përgjatë gjithë kësaj zone lidhet me vazhdimin e punës dhe vazhdimi i punës lidhet me mandatin”.

Ai tha se, “nuk është mandati qëllimi, mandati është mjeti për arritjen e qëllimit dhe qëllimi është që të realizojmë punët që janë në proces”.

Rama komentoi edhe premtimin e bërë në programin politik të opozitës për 6 % TVSH për operatorët turistikë. “Kanë qenë në gjumë në kohën që është bërë 6 %. Ka kohë që është 6 %, por kanë qenë në gjumë dhe nuk e kanë marrë këtë të dhënë nga realiteti dhe po e premtojnë. Por përtej kësaj, këtu jemi në vijën bregdetare të qytetit, por faktikisht nuk është vetëm qyteti. Është e gjithë zona, përfshi edhe pjesën e Labërisë, gjithë pjesën e lumit të Vlorës që do të transformohet në vitet e ardhshme si rezultat i transformimit të infrastrukturës dhe krijimit të akseseve të shpejta për lëvizjen e njerëzve, mallrave, prodhimeve e shërbimeve”, tha Rama.

Ndoshta, vijoi ai, “çka unë kam jetuar në Vlorë qysh i vogël më ka bërë më të ndjeshëm karshi bukurisë dhe potencialit. Nuk është çështja e kujtimeve të mia apo marrëdhënieve të mia, se mund të kisha kujtime me një zonë që mund të mos kishte potencial të tillë, por është çështja e potencialit. Vlora ka një potencial. Është krijuar për të qenë një nga organet më të vitale të organizmit të atdheut tonë. Është krijuar për të qenë një motor me shumë kuaj fuqi zhvillimi ekonomik dhe vënia në kushtet, ku këto potenciale të çlirohen, është puna jonë”.

“Mua më kujtohet kur isha i vogël e vinim në Vlorë me linjën e trenit deri në Fier, pastaj autobus Fier-Vlorë. Stacioni i autobusit ka qenë në anën tjetër ku ka qenë i ndjeri hotel ‘Adriatiku’. Them i ndjeri, se do të ishte një nga ndërtesat më të bukura të Vlorës, por fatkeqësisht u shkatërrua. Dhe pastaj bënim rrugën e bulevardit ku ishin palmat dhe më kujtohet gjithmonë kur vija këtu shprehja e sime mëje ‘palmat e Kristo Papajanit’, i cili ka mbjellë palmat dhe i mbeti emri. Dhe besoj se në këtë aspekt me Vlorën edhe deri këtu, e kam lënë emrin për Zahon kur të vij edhe të kur të jetë në një moshë që unë mbase nuk do jem më. Por përtej emrit, kujtimi i mirë është shumë i rëndësishëm për mua dhe një nga motivet bazë që mua ma bëjnë politikën pasion dhe nevojë për të qenë i dobishëm për njerëzit, për ta bërë të dobishme ekzistencën time për të tjerët. Dhe natyrisht, brenda kësaj nevoje është edhe tërheqja e fortë për të punuar për emrin nesër dhe asnjëherë për të mos menduar ‘Kap ç’të kapësh sot'”, tha ai./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.