Reforma në arsim/ Nga faza dramatike e diplomave false, te punësimi i ekselentëve në administratë

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ “Nga faza dramatike e diplomave false, qeveria ka bërë progres në fushën e arsimit përmes kanalit për studentët me 9 dhe 10, të cilët punësohen në administratë dhe marrin një eksperiencë për të aplikuar për një vend pune përfundimtar”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama gjatë bashkëbisedimit sot me qytetarët në Vlorë duke folur për reformat në arsim dhe për punësimin e studentëve.

“Ne kemi kaluar një fazë historike dramatike përsa i përket të ardhmes së rinisë  praktikisht duke shthurur komplet sistemin arsimor dhe duke hapur rrugë qorre në dukje bulevarde plot dritë, po në fakt rrugë qorre për arsimimin masiv të tyre në universitete që ose kanë dhënë me shumicë të madhe diploma që nuk vlejnë për tregun e punës, ose kanë dhënë diploma false fare pa shkuar fare në shkollë. Ne faktikisht sot trashëgojmë nga ajo periudhë një numër jo të vogël të rinjsh që faktikisht gjenden me një diplomë në dorë edhe nuk kanë akses sepse tregu nuk ka kërkesë për aq shumë juristë apo për aq shumë ekonomistë. Ndërkohë që zona të tjera të tregut janë me kërkesa të mëdha p.sh kërkesa për individë të pajisur me aftësi në fushën e teknologjisë”, tha Rama.

“Përtej kësaj se çfarë ka ikur ka ikur, ne sot kemi një situatë më të mirë në sistemin arsimor, por jo shumë të mirë. Edhe këtu si në çdo fushë tjetër jemi në mes të rrugës, jemi në një proces që duhet çuar përpara, jemi në një betejë që duhet fituar. Kemi bërë progres, kemi marrë terren nëse do e krahasonim me një betejë në një fushëbeteje, por ende nuk e kemi vënë në kontroll gjithë fushën. Kjo sepse vazhdon një tendencë shqetësuese e universiteteve për të insistuar në programe që në fund nuk të japin akses në treg, dhe nga ana tjetër për të shtuar programe që në fund rrisin numrin e të papunëve”, u shpreh ai.

Kryeministri Rama theksoi se, “nga ana tjetër qeveria ka bërë përpjekjen e saj, ka krijuar një kanal për të gjithë ata që mbarojnë me 9 me 10. Kemi patur që prej kohës së protestës së studentëve në kuadër të Paktit për Universitetin sistematikisht thirrje për aplikime dhe marrje në punë të këtyre studentëve. Kuptohet duke patur parasysh nevojën për t’ju dhënë atyre një eksperiencë  dhe për t’ju dhënë atyre mundësinë në rast se duan të qëndrojnë më tutje në administratë ta kenë atë eksperiencë që ju duhet për të aplikuar për një vend pune përfundimtar”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.